Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, ka thënë se nuk do të të kërkojë falje për deklaratat skandaloze të bëra ditë më parë, ku i quajti shqiptarët e Kosovës si “njerëz të zbritur nga pylli”.
Siç shkruan agjencia e lajmeve Beta, Brnabiq thotë se ka thënë të vërtetën, transmeton Gazeta Express.
Ajo ka thënë se një thënie e tillë nuk ishte për kombin shqiptar, por për të treguar se nuk ka respekt, për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn.
Brnabiq ka thënë se nuk do të dëshironte kurrë që të takohej me Haradinajn.
“Do të doja që kurrë të mos takohesha me Haradinajn. Ju e dini për çfarë krime të tmerrshme u dyshuar. Por unë duhet të merrem edhe me djallin për hirë të Serbisë”, ka thënë Brnabiq.
Ndër të tjera ka thënë se është e ‘zemëruar’ që BE-ja dhe SHBA-të po e detyrojnë të ulet në tavolinë për të diskutuar me ‘njerëz përgjegjës për gjërat më të këqija”.
Ndërkohë sa i përket Samitit të Parisit, dhe takimit të ardhshëm ne Francë, ajo ka thënë se “Franca po e organizon atë, ne do të jemi atje”.
Për deklaratat dhe ofendimet skandaloze ndaj shqiptarëve, Brnabiq ka marrë kritika të shumta edhe nga Bashkimi Evropian, ndërkohë në Kosovë ka pasur reagime të shumta përmes të cilave është ironizuar me ato se çfarë ka thënë Branbiq.