Policia e Kosovës, ka njoftuar se mbrëmjen e kaluar ka arrestuar një person i cili mashtronte qytetarët se po ua rregullonte dokumentet për të punuar jashtë vendit.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Policisë, ngjarja ka ndodhur në Prishtinë dhe bëhet fjalë për një 25 vjeçar me inicialet R.I.
‘R.I, mashkull , 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës ,I cili dyshohet të ketë marrë nga persona të ndryshëm, shuma të caktuara parash që në total arrijnë vlerën rreth 7.000 euro, duke u premtuar atyre se do të ua rregullonte dokumentet për të punuar jashtë vendit,’ thuhet në njoftim.
Mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimi mund të ketë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga i dyshuari mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar deri tani.
‘Deri tani në polici si viktima të këtij mashtrimi janë paraqitur 3 persona, andaj marrë në konsideratë këtë fakt, kërkojmë nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për të ndihmuar policinë drejt hetimit përfundimtar,’ thuhet tutje në njoftim.
Pas arrestimit dhe marrjes së autorizimit nga ana e prokurorit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale, para se rasti të kaloj në institucionet kompetente.