Një anije shpëtimi e Gjermanisë ka mbetur jashtë brigjeve të ishullit italian Lampedusa, pasi i është mohuar hyrja në port.
Anija “Sea-Watch 3” shpëtoi 53 imigrantë nga një varkë që ishte gati të fundosej në ujërat e Libisë. Dhjetë prej këtyre imigrantëve janë marrë nga autoritetet italiane për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Zëvendëskryeministri Matteo Salvini, kërcënoi se do të përdorë masa të rrepta ndaj anijes së shpëtimit që ka marrë imigrantët pa autorizimin e Qeverisë italiane.
“Kjo është e s’di sata herë që Sea Watch bën një veprim të tillë, një anije piratësh që kërkon leje për të hyrë në brigjet e Italisë”, ka thënë Salvini, transmeton KTV.
Policia italiane ndali anijen “Sea Watch” gjatë muajit maj, pasi shpëtoi qindra emigrantë derisa u akuzua për thyerje të rregullave të imigracionit.
Megjithatë, ajo u lirua në fillim të muajit qershor, për t’iu kthyer punës së shpëtimit të imigrantëve në bregdetin e Libisë.
Ardhjet e imigrantëve në Itali janë rralluar, qëkur Salvini hyri në qeveri.
Sivjet, vetëm 2 mijë imigrantë kanë kaluar Detin Mesdhe, gati 85 për qind më pak sesa gjatë vitit 2018 dhe 96 për qind më pak se para dy vjetësh.
E, Qeveria italiane, më 11 qershor, miratoi një ligj që i jep fuqi Salvinit për t’ua refuzuar hyrjen anijeve që konsiderohen si rrezik për shtetin.
Anijet që nuk respektojnë këtë dekret rrezikojnë të dënohen me 50 mijë euro.
Kabineti qeveritar miratoi ligjin vetëm dy javë pasi partia Liga e ekstremit të djathtë, fitoi zgjedhjet evropiane në Itali.
E, Kombet e Bashkuara, përmes agjencive që kanë për refugjatët, i bënë thirrje Italisë që ta rishikojë këtë ligj, i cili mund t’ua rrezikojë jetën imigrantëve.
Ndaj këtij ligji ka reaguar edhe presidenti italian dhe grupet për të drejtat e njeriut.