Zyrtari i Telekomit të Kosovës, Gzim Makolli, ka plagosur gruan e tij me inicialet A.A., të dielën në Prishtinë dhe ka tentuar ta fshehë rastin nga autoritetet e sigurisë.
Gjysmë ore pasi kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, Makolli e ka dërguar A.A. për trajtim mjekësor në Spitalin Amerikan në Prishtinë, shkruan Insajderi.
Gjatë gjithë kësaj kohe, ai kishte refuzuar ta lajmëronte rastin në Policinë e Kosovës derisa përmes informacioneve të pranuara nga rrugë të tjera, Policia e ka arrestuar zyrtarin e Telekomit të Kosovës të hënën.
Ndërkaq, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Gjykata i shqiptoi Gzim Makollit 30 ditë masë paraburgimi, raporton Insajderi.
“Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim për G.M. me dyshimin se ka tentuar ta vriste gruan me të cilën bashkëjetonte A.A.. Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit G.M. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata e ka mbështetur vendimin e saj në dyshimet se Makolli mund ta kishte kompromentuar rastin nëse do të sillej i lirë.
“Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ngase nëse i pandehuri gjendet në liri do të mund të pengonte rrjedhën e procedurës penale duke fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat”, ka thënë Gjykata Themelore e Prishtinës, në një njoftim për media të martën.
Gzim Makolli, i njohur si “Giza”, është punësuar si sigurim fizik në Telekomin e Kosovës, në kohën kur kjo ndërmarrje udhëhiqej nga Agron Mustafa.
Makolli ka miqësi të ngushtë me Agron Mustafën si dhe me një person tjetër të rëndësishëm të Prishtinës, Rrahim Pacollin.
Makolli ishte edhe anëtar i Aleancës Kosova e Re, parti në të cilën Rrahim Pacolli ka mbajtur postin e sekretarit për kohë të gjatë.