Situatë që mund të eskalojë e që mund të rikthejë ngjarjet e vitit 1997, po cilësohet situata aktuale në Shqipëri, ku opozita nuk po pranon të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat i ka anuluar presidenti, por që kryeministri Edi Rama këmbëngul të mbahen.
Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Gazmend Pula, ka thënë në Rubikon të KTV-së se protestat e fundit dhe përleshjet me policinë, po bëjnë që situata të duket sikur para shpërthimit. Ai e ka cilësuar jo të duhur qasjen e kryeministrit Rama dhe ka kritikuar partitë politike për “papërgjegjësi”.
Në anën tjetër, regjisori Agim Selimi ka thënë se Rama po duket sikur fytyrë diktatoriale. “Fytyra më diktatoriale dhe personi më ekscentrik i cili për një karrige është në gjendje ta kthejë vitin ’97. Mendoj që situate mund të eskalojë, Zoti mos e bëftë që të kthehemi në një vit të mbrapsht si ’97. Duhet të kemi ndërhyrje më të madhe të ndërkombëtarëve”, ka thënë Selimi.
Opinionisti Rrahman Paçarizi ka thënë se kryeministri Rama ka humbur kredencialet politike pas publikimit të përgjimeve nga mediumi i njohur “Bild”.
Më 1997 në Shqipëri shpërthyen trazira qytetare në të cilat jetën humbën mijëra qytetarë.