PSD-ja me propozim që qytetarët të paguajnë 20 euro në vit për RTK-në

Partia Socialdemokrate ka propozuar që RTK të financohet drejtpërdrejt nga qytetarët, në shumën prej 20 euro në vit. Ky subjekt ka propozuar edhe zvogëlimin e numrit të anëtarëve të bordit dhe mënyrën e përzgjedhjes së tyre.

Po ashtu, PSD paralajmëroi edhe kundërshtimin e projektligjit aktual për RTK-në, kjo pasi projektligji në fjalë, përkundër përmirësimeve, nuk garanton pavarësinë e Radio Televizionit të Kosovës.

Në një konferencë për media, deputetja Shqipe Pantina, tha se RTK është bërë çerdhe e punësimit të familjarëve e politikanëve të partive në pushtet, e më së shumti të PDK-së.

Pa pavarësi financiare të RTK-së, Pantina tha se nuk mund të ketë as pavarësi menaxheriale e as editoriale.

“PSD propozon që RTK, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, dhe e mira do të ishte që nga 1 janari i vitit 2020, të financohet drejtpërdrejtë nga qytetarët, përmes një tarife, e cila nuk duhet të jetë më e madhe se 20 euro në vit… Bordi i RTK-së, duhet që çdo tri vite të propozojë ndryshimin e tarifës, uljen ose ngritjen për të cilën vendosë Kuvendi. Ndonëse e dimë që shumica e qytetarëve të Republikës, përballen me vështirësi ekonomike, megjithatë, mendojmë që tarifa prej 20 euro në vit, e që i bie më pak se 2 euro në muaj, është e përballueshme. Familjet me asistencë sociale duhet të lirohen nga kjo tarifë, ndërsa mënyra e inkasimit të kësaj tarife duhet t’i lihet bordit të RTK-së”, tha ajo.

Sipas saj, menaxhmenti i RTK-së duhet të gjejë mënyrën më të lirë për inkasimin e kësaj tarife, ndërsa qytetarëve duhet t’iu jepet mundësia që ta paguajnë shumën prej 20 euro menjëherë ose në formë këstesh çdo muaj.

Ndërsa deputeti Dukagjin Gorani, u shpreh pro zvogëlimit të numrit të anëtarëve të bordit të RTK-së.

Ai tha se Kuvendi, si themelues i RTK-së, do ta ruajë të drejtën e emërimit të anëtarëve të bordit, ndërsa shtoi se përzgjedhja e kandidatëve duhet të bëhet nga një trup i cili garanton profesionalizëm dhe paanshmëri politike e partiake.

Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet mbrojtja dhe përfaqësimi i interesit të publikut të gjerë.

“Sipas PSD-së, numri i anëtarëve, prej 11 sa janë në 7 dhe duhet të ndryshohet mënyra e përzgjedhjes së tyre. Sidoqoftë, përzgjedhja e kandidatëve për anëtar të bordit, e cila duhet të votohet në fund nga Kuvendi, duhet të fillojë përmes një komisioni, i cili përveç përfaqësuesve nga secili grup parlamentar, duhet të ketë edhe një përfaqësues nga bordi aktual i RTK-së, një përfaqësues nga sindikata e RTK-së, një përfaqësues nga Komisioni i pavarur i mediave, një përfaqësues nga Asociacioni i gazetarëve të Kosovës dhe një përfaqësues i Ombuspersonit, një përfaqësues nga rrjeti i grave të Kosovës dhe një përfaqësues nga rrjeti i rinisë, një përfaqësues nga komuniteti i artit dhe një nga komuniteti i sportit”, tha ai.

Ai tha se kjo është kërkesë e PSD-së, e cila është pjesë e amendamenteve, të cilat janë dorëzuar dhe kanë për qëllim gjetjen e mënyrës së formulës për garantimin e një funksionimi i cili është llogaridhënës dhe i cili është i paanshëm. Teksa foli edhe për mandatin e bordit të RTK-së.

“Mandati i drejtorit të përgjithshëm duhet të kufizohet vetëm në dy mandate … PSD insiston se pa marrjen parasysh të këtyre ndryshimeve strukturore e fondamentale, në formën siç është sot projektligji për RTK-në, është i papërkrahshëm nga ana jonë dhe ne do të kërkojmë edhe në të ardhmen që pa këto ndryshime të mos kalohet një projektligj, i cili përveç që nuk e garanton pavarësinë, në një mënyrë e siguron keqmenaxhimin edhe për të ardhmen”, tha Gorani.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme