Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq deklaroi se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka thënë se lajmi sipas të cilit zyrtarëve nga Serbia u ndalohet hyrja në Kosovë është i rremë.
Kështu e citon atë agjencia serbe e lajmeve B92, transmeton Koha.net.
Bërnabiq dhe Haradinaj po marrin pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit në Poznan të Polonisë.
Rikujtojmë se Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dje, pra të enjten, kishte marrë vendim se nuk do t’u japë kurrfarë leje zyrtarëve të Beogradit për të hyrë në Kosovë. Këtë vendim e bëri publik Jetlir Zyberaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacollit.
Bërnabiq u tha gazetarëve në Poznan, ku po vazhdon samiti BE – Ballkani Perëndimor, ka thënë se kjo që ia ka thënë Haradinaj, pra se bëhet fjalë për “lajm të rremë”, zbut deri diku tensionin, i cili, sipas saj, është i madh në rajon.
Sipas saj, Haradinaj këtë ia ka thënë asaj gjatë drekës së punës me përfaqësuesit e qeverive të Ballkanit Perëndimor.
Koha.net kërkoi sqarim nga Kryeministria e Kosovës nëse ishte i saktë raportimi i mediave serbe sipas të cilave Haradinaj ka thënë se lajmi sipas të cilit zyrtarëve nga Serbia u ndalohet hyrja në Kosovë është i rremë, por mori përgjigje se kryeministri Haradinaj dhe ministri Pacolli ndodhen në Poznan dhe se kanë vështirësi për të vendosur kontakt me ta për ta sqaruar çështjen. Por thanë se brenda ditës do të dilet me një njoftim.