Fatima, është një vajzë 14-vjeçare nga Fushë Kosova e cila çdo ditë nga ora 6 e mëngjesit vjen në Prishtinë ku për 10 orë rresht përpiqet të bëjë punë të ndryshme për të siguruar paratë e nevojshme për veten dhe familjen. Ajo, bashkë me vëllanë dhe një grup fëmijësh të tjerë, pastrojnë xhamat e veturave, mbledhin gjësende metali nëpër rrugë dhe si kundërshpërblim marrin një fitim që arrin deri në 10 euro në ditë. E detyruar të punojë, Fatima ka ndërprerë edhe shkollimin.
“Punoj çdo ditë dhe i fitoj deri në 10 euro në ditë. Në shkollë nuk shkoj, nuk kam mundësi. Edhe unë nuk jam fëmijë, prandaj punoj, unë tash i kam 14 vjet”, thotë Fatima.
Fëmijë si Fatima ka mjaft shumë rrugëve të qyteteve të Kosovës, të cilët punojnë punë nga më të ndryshmet. Këta fëmijë, përbëjnë vetëm një nga kategoritë që nesër mund t’i mbrojë sado pak Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, i miratuar këto ditë në Kuvendin e Kosovës.
Ligji për mbrojtjen e fëmijëve ka për qëllim të mbrojë fëmijët nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e tyre.
Krahas punëve që angazhohen që çon edhe në ndërprerjen e shkollimit, në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare dhe atyre të organizatave joqeveritare, shumë fëmijë vazhdojnë të jenë viktima të dhunës, qoftë në familje, shkolla apo në rrugë. Si pasojë e dhunës në familje, gjatë vitit 2018 është raportuar vdekja e një djaloshi 14-vjeçar. Derisa në përgjithësi, sipas statistikave të organeve të rendit, si pasojë e dhunës, në vitin 2016, janë evidentuar katër raste, kurse në vitin 2017 pesë raste të vrasjeve të rënda në familje.
Përpos dhunës, fëmijëve u shkelen të drejtat edhe në shumë mënyra të tjera.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi dhjetë për qind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda, derisa afër shtatë për qind punojnë në kushte të rrezikshme.
Këtë javë, Policia e Kosovës identifikon 58 fëmijë lëmoshë-kërkues nëpër rrugë, prej të cilëve 21 shtetas kosovarë dhe 37 shtetas shqiptarë.