Një person është arrestuar dhe 46 kilogramë lëndë narkotike janë sekuestruar nga Policia e Shtetit pas finalizimit të operacionit policor të koduar “Kanionët”.
Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit, operacioni ka filluar mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi A.Z, posedonte lëndë narkotike.
“Nga ana e Komisariatit të Policisë Tepelenë në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Gjirokastër është organizuar dhe finalizuar operacioni “Kanionët”. Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Z, 42 vjeçar, nga Vlora”, thuhet në njoftim.
Tutje, policia ka njoftuar se nga pas kontrollit në banesën e të dyshuarit në fshatin Nivicë, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 46 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, si dhe në oborr dhe në afërsi të banesës janë gjetur disa kubikë ku ishin kultivuar fara kanabis.
“Materialet për shtetasin e mësipërm i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike””, njofton Policia e Shtetit.