Atleti 96-vjeçar vazhdon të thyejë rekorde të botës

Roy Englert 96-vjeçar ka shtuar një rekord tjetër të botës në listën e tij të rekordeve. Ai vrapoi 5.000 metra për 42:30.23 minuta, për të thyer rekordin e botës të grupmoshës së tij për gati tetë minuta.

Rekordin e vendosi në Kampionatin e SHBA-së të Atletikës për Veteranë, që u mbajt në Iowa së fundi.

Englert nga Virginia mban rekordet e botës për grupmoshën 95 deri 99 vjet në 800 metra dhe 1.500 metra. Ai po ashtu është pjesë e stafetave që mbajnë rekordet e botës në 4×100 metra, 4×400 metra dhe 4×800 metra. Englert kësaj radhe theu rekordin e Frank Levine prej 50:10.56 minuta, që ishte vendosur një dekadë më parë.

Rekordi pritet të ratifikohet nga Federata e Atletikës e SHBA-së.

Englert jeton në komunitetin e pensionistëve në Lake Ridge dhe bën shumicën e vrapimeve në shirit. Ai vrapon 3 deri 5 kilometra tri herë në javë, ndërsa rrit distancën kur afrohet gara, shkruan The Guardian, përcjell Koha Ditore.

“Është argëtim. Nuk është argëtim derisa je duke e bërë, por është argëtim kur përfundon. Është punë e vështirë”, thotë ai. “Unë mundohem të stërviti së paku tri herë në javë dhe kur kam gara atëherë rris distancën dhe bëj deri katër stërvitje në javë apo edhe më tepër”.

Englert, një jurist i pensionuar, suksesin në karrierën e tij të vonshme ia adreson këmbënguljes së fortë, e jo talentit të natyrshëm. Ndonëse shumë njerëz e shohin si inspirim, ai nuk e sheh veten të tillë.

“Nuk e konsideroj veten një inspirim aq të madh. Jam vrapues i ngadalshëm. Por them se u kam mbijetuar të gjithëve. Është më e lehtë të fitosh kur nuk ka shumë konkurrencë”, thotë Englert.

Në garën 5.000 metra në kampionatin e mbajtur së fundi nuk kishte garues tjetër të moshës së tij, kështu që për të më tepër ishte garë kundër kohës. Mirëpo, Englert duket se nuk e ka bezdi të vrapojë vetëm.

Në kampionatin në palestër, që u mbajt në mars në Landover, Englert kishte vendosur rekorde bote në 800 metra, 1.500 dhe 3.000 metra, madje në 3.000 metra e theu rekordin për afro katër minuta.

Englert 96-vjeçar thotë se nuk e sheh veten ndryshe nga të tjerët, ndërsa ai ka dhënë edhe këshilla për atletët e rinj.

“Unë nuk e shoh veten shumë më ndryshe. Këshilla ime e vetme për atletët e rinj është që të vazhdojnë të bëjnë atë që po e bëjnë. Të vazhdojnë të lëvizin”, ka thënë Englert.

Jay Wind 68-vjeçar, sekretar i klubit të atletikës Potomac Valley, e njeh Englertin për afro 30 vjet.

“Roy është një garues i madh. Ai adhuron të jetë në gara. Ai gjithmonë është i lumtur dhe i gatshëm për çfarëdo gare. Ai është po ashtu anëtar fenomenal për ekipin”, ka thënë Wind.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme