Për 7 muaj, 7 mijë vizitorë në shpellën e Gadimes

Shpella e Gadimes vazhdon të mbetet një nga atraksionet turistike kryesore të vendit, ku për shtatë muajt e parë të vitit, kjo shpellë ka pritur afër 7 mijë vizitorë.

E vizitorët tashmë i janë shtuar edhe më shumë, meqë shumë mërgimtarë që kanë ardhur për pushime preferojnë që një ditë ta kalojnë në shpellën e mermertë.

Shpella e Gadimes me të gjitha elementet e saj çdo ditë e më shumë po tërheq numër të madh të vizitorëve edhe nga jashtë Kosovës, të cilët duan që nga afër ta shohin këtë shpellë të mermertë që është e vetmja në Evropë e llojit të tillë.

E diela për ciceronin e kësaj shpelle Fatmir Bytyçin është tejet e ngarkuar me punë, pasi ai për shumë grupe gjatë gjithë ditës jep shpjegime.

Një numër i madh i vizitorëve i shkojnë nga mbrapa për parë të gjitha figurat që ai i shpjegon. Vendi i parë ku ndalen është “Fontana e Dëshirave”, ku vizitorët gjuajnë monedha me bindjen se dëshirat do t’iu plotësohen.

Pasi që hedhin monedha vizitorët vazhdojnë të ndjekin ciceronin i cili i dërgon tek një vend tjetër.

Ai iu shpjegon se në aspekt hidrologjik shpella e Gadimes është e pasur me ujëra nëntokësore. Ciceroni u tregon se paraqiten të gjitha llojet e ujërave të shpellave: ujërat e kondensuar, pikues, rrjedhës dhe qëndrues duke e shndërruar shpellën e Gadimes në objekt të veçante në aspekt hidrologjik.

Më pastaj ai i dërgon tek fenomeni më i shpeshtë në këtë shpellë.

Rrugës derisa vizitojnë shpellën, me sugjerimin e ciceronit vizitorët ndalen për të parë figurën e mjekrës së Skënderbeut.

Ciceroni duke u shpjeguar vizitorëve të veçantat e kësaj shpelle, thotë se një pasuri e saj është prezenca e aragoniteve të cilat si stoli shpellore janë dukuri e rrallë.

Janë 2000 metra katrorë që janë të rregulluara për vizitorët, ndërsa shpella është e ndarë në dy kate. E vizitorët janë ata që mbesin të mahnitur me karakteristikat e kësaj shpelle.

Ardian Kadolli nga Suhareka së bashku me fëmijët e tij po e vizitonte shpellën për herën e dytë, për të cilën thotë se është e mahnitshme.

Së bashku me familje shpellën po e vizitonte edhe Besim Rrahmani. Ai jeton së bashku me familje në Danimarkë, por që është me prejardhje nga Gadimja, për çka thotë se krenohet me këtë bukuri natyrore të vendlindjes së tij.

Nuk janë vetëm shqiptarët ata që e vizitojnë këtë shpellë. Castine Loni turiste nga Gjermania shprehet e mahnitur nga bukuritë e shpellës së Gadimes.

Shpellën e Gadimes, Vjollca Kadolli e kishte vizituar para luftës, e ajo është rikthyer edhe një herë për ta parë shpellën tash së bashku me dy fëmijët e saj.

Ajo jeton në Zvicër dhe shprehet se shpella është diçka e mrekullueshme.

E djali i saj Bledi Kadolli, shprehet se gjithçka në shpellë është interesante.

Vizitorët shprehen se përkundër që shpella është e mrekullueshme, institucionet duhet të kujdesën më shumë për të. Investime në këtë shpellë sipas Adriana Pllana, udhëheqëse e MNRV Shpella e Gadimes, janë bërë vitin e kaluar vetëm në mirëmbajtje të rrjetit elektrik dhe në mirëmbajtje të infrastrukturës së jashtme.

Këtë shpellë vitin e kaluar e kanë vizituar 27 mijë e 485 vizitorë.

Kujtojmë se shpella e Gadimes është zbuluar në vitin 1967 nga Ahmet Asllani dhe gjendet në fshatin Gadime e Ulët të komunës së Lipjanit, 3 km larg rrugës magjistrale Prishtinë-Ferizaj. Ajo llogaritet si monument i natyrës me rëndësi të veçantë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme