Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn kishte qëndruar në Kosovë më 15 korrik. Kjo ishte hera e parë që një ministër gjerman i shëndetësisë viziton Kosovën. Ministri Spahn u takua me Ministrin e Shëndetësisë Uran Ismaili ku edhe u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi në fushën e Shëndetësisë mes Kosovës dhe Gjermanisë me theks të veçantë në njohjen më të lehtë të diplomave të infermierisë në Gjermani si dhe në përshpejtimin e procedurave të vizave për infermierët nga Kosova. Ambasada gjermane në Kosovë për Gazetën Express ka thënë se për profesionistët e infermierisë, koha e pritjes për një termin në ambasadë është mesatarisht e shkurtër. Ata thanë se nga statistikat që posedojnë, në vitin 2018, rreth 13 mijë viza janë viza të lëshuara për qëndrim afatgjatë(viza pune, bashkim familjar) shifra të përafërta priten të jenë edhe në vitin 2019.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Ministri i Shëndetësisë tha se Gjermania ka nevojë për rreth 70 mijë infermierë dhe këtë mungesë mund ta kompensojë vetëm me ardhjet nga vendet e tjera.
“Sfidat për sektorin e shëndetësisë në Kosovë dhe në Gjermani janë të ndryshme, pasi vendi nga vi ka popullsinë më të vjetër, teksa Kosova e ka popullsinë më të re. E këto janë dallime që nxisin bashkëpunim të mirëfilltë mes të dyja vendeve” kishte thënë Ministri gjerman i Shëndetësisë.
Krahas nevojës së shtetit gjerman për infermierë nga jashtë, ai tha se janë të interesuar të ndihmojnë për shkolla sa më cilësore profesionale në Kosovë, si dhe në përshpejtimin e procedurave të vizave për infermierët nga Kosova.
Ambasada gjermane në Kosovë tha për Gazetën Express se nuk parashihen lehtësime procedurale për infermierët.
“Në rastin e të gjitha vizave për punësim në Gjermani kërkohet pëlqimi i zyres për të huaj nga vendqëndrimi i synuar dhe një leje e punës nga Zyra Federale për Punë. Nuk parashihen lehtësime procedurale të vizave për grupe të caktuara profesionale, megjithatë për profesionistët e infermierisë koha e pritjes për një termin në ambasadë është mesatarisht e shkurtër”
Gazeta Express ka pyetur ambasadën gjermane në Kosovë se për cilat kategori profesionale janë lëshuar më së shumti viza pune.
“Statistikat tona për viza pune nuk ndahen sipas kategorive të ndryshme profesionale” janë përgjigjur ambasada.
Ambasada gjermane në Kosovë me gjithë fluksin e madh të aplikuesve nga Kosova në vitin 2018 rreth 13 mijë viza janë lëshuar për qëndrim afatgjatë në Gjermani.
“Gjatë vitit 2018, rreth 13 mijë viza janë lëshuar për qëndrim afatgjatë, ku përveç vizave të punës hyjnë edhe vizat për bashkim familjar, studime”.
Sipas ambasadës gjermane në Kosovë, në vitin 2018 për kosovarët ka lëshuar 25 mijë viza shengen.
“Gjatë vitit 2018, Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar rreth 38.000 viza. Prej tyre rreth 25.000 viza për qëndrim afatshkurtër, të ashtuquajturat viza Shengen për turizëm, udhëtime afariste”.
Ambasada gjermane në Kosovë është shprehur se edhe për vitin 2019 shifrat do të jenë të përafërta edhe për viza afatshkurte dhe afatgjate.
“Sipas zhvillimeve aktuale duket se shifrat për vitin 2019 do të jenë të përafërta me nivelin e periudhave referuese të viteve paraprake” thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane në Kosovë.