Limaj kërkon zgjedhje, kundërshton krijimin e një qeverie teknike

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, deklaroi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje pas dorëheqjes së parevokueshme të kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai përjashton çdo mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kundërshton edhe krijimin e një qeverie teknike.

Limaj në një intervistë për KosovaPress thotë se pas dorëheqjes së kryeministrit vendi është në prag të zgjedhjeve.

“Qëndrimin e Nismës e keni pa, në momentin e dorëheqjes Kosova është në prag të zgjedhjeve. Ne si subjekt politik si Nismë jemi të gatshëm për zgjedhje dhe po përgatitemi për proces zgjedhor, natyrisht duke respektuar procedurat që na obligon Kushtetuta dhe ligji. Kjo është realiteti dhe besoj që tashmë është e qartë për secilin”, thotë ai.

Partia që ai e udhëheq thotë se nuk do të bëhet pjesë e asnjë qeverie teknike, derisa potencon se vendit i duhet një qeveri e fortë dhe që është e gatshme të ballafaqohet me tema të rëndësishme.

“Nisma nuk mund të bëhet pjesë e asnjë qeverie të tillë. Ne besojmë që është një moment kur duhet të kthehemi tek qytetarët, qytetarët përmes vullnetit të lirë të vendosin për Qeverinë e ardhshme. Më merr mendja që është koha që përmes votës së qytetarëve të ndërtojmë një Qeveri e cila do të merr përgjegjësi për shumë tema të rëndësishme për vendin, e dini që na presin shumë tema. Si asnjëherë më parë Kosovës i duhet një Qeveri e fortë, e fuqishme, e gatshme për t’u ballafaquar me tema të rëndësishme që do t’i hapin një perspektivë të qartë vendit tonë. Ajo që dua të them, kjo që po vije nuk janë thjeshtë zgjedhjet e radhës është më tepër se zgjedhje”, shprehet ai.

Kreu i Nismës Socialdemokrate thotë se partia që e udhëheq është e gatshme të shkojë në zgjedhje.

“Një parti politike e cila nuk është e gatshme për zgjedhje ajo nuk meriton të jetë në skenën politike. Nisma Socialdemokrate është e gatshme për këto zgjedhje dhe ne sikur që e thash, pa asnjë hezitim ose tendence të atyre qepjeve e harrnimeve, ne besojmë që duhet të shkojmë drejtë zgjedhjeve”, thotë Limaj.

Sa i përket ftesave të Gjykatës Speciale, Limaj thotë se ajo është krijuar për ushtarët e UÇK-së dhe askush nuk duhet të befasohet me ftesa të tilla.

“Ajo është krijuar për ushtarët e UÇK-së, kurrkush nuk duhet të befasohet nëse ka ftesa të tilla”, deklaron ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme