Hysri Peqani, i njohur në popull si Burdushi, është arrestuar sërish nga Policia e Kosovës, pas bastisjes në lokalin ku ai zhvillon veprimtarinë si “mjek popullor”. Në Prokurorinë e Prizrenit i kanë thënë Gazetës Express se aksioni i sotëm është vazhdimësi e rastit të mëhershëm.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti, i ka thënë Gazetës Express se sot Prokurori ka lëshuar vendim për ndalimin e Burdushit, dhe se sot gjatë ditës do të dorëzohet në Gjykatë aktvendimi për zgjerim të hetimit dhe kërkesa për paraburgim.
“Rasti në fjalë është vazhdimësi e rastit të mëhershëm. Prokurori ka lëshuar vendim për ndalimin e të pandehurit H.P., dhe pritet që gjatë ditës në Gjykatë të dorëzohet aktvendimi për zgjerim të hetimit, si dhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Mehmeti.
Policia e prokuroria gjatë kësaj bastisje kanë siguruar prova të reja, si dhe kanë sekuestruar para e vetura.
Burdushi, gjithashtu, po hetohet për shantazh të një pacienti. Ai është arrestuar nga Policia e Kosovës, këtë e ka konfirmuar për Express avokati i tij, Asdren Hoxha.
Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj Burdushit në nëntor të vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Burdushi akuzohet se nga data 20.06.2014 deri më 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër ose për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër dhe me këtë rast të dëmtuarin.
Në këtë proces, merren vesh mes vete që i akuzuari Hysni Peqani – Burdushi, t’ia shërojë një anëtar të familjes që vuante nga depresioni, në kompensim të një shume prej 2 mijë eurosh, por që pas kalimit të një kohe pacienti nuk ka shfaqur shenja shërimi, dhe si rrjedhojë këtu i akuzuari Burdushi, të dëmtuarin e vë në lajthitje dhe mashtrim, duke i shkaktuar dëm material.
Me këtë, sipas aktakuzës, i njëjti ka kryer veprën penale të mashtrimit.