Kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, pas takimit me zyrtarët qeveritarë ka thënë se në situatën e krijuar, presidenti Hashim Thaçi e ka punën më të lehtë.
Sipas Haradinajt, Thaçi mund ta çojë vendin në zgjedhje për 5 minuta.
“Mendoj se ai i ka pesë minuta punë që ta çojë vendin në zgjedhje”, tha Haradinaj.
“Presidenti e ka situatën më të thjeshtë para vetes”, ka theksuar ai.
Më tej, Haradinaj ka përshkruar se si, sipas tij, Thaçi mund ta zgjidhë këtë situatë.
“Nuk i kërkon shumë punë. I mbledhë partitë, ua jep nganjë opsion. Të gjitha partitë kanë kërku zgjedhje, dhe ja i kemi zgjedhjet”, ka thënë ai.
Haradinaj mendon se zgjedhjet mund të mbahen në shtator ose javën e parë të tetorit.
“Mund të shkojmë në zgjedhje në shtator ose nëse dëshirojmë pakëz kohë, në javën e parë të tetorit”, deklaroi Haradinaj.