Këngëtarja me renome botërore e origjinë nga Kosova, Dua Lipa, këto ditë po qëndron në Prishtinë pasi ka marrë pjesën në festivalin tashmë të njohur “Sunny Hill”, një festival i cili në edicionin e dytë në vendin tonë solli artisten e njohur amerikane Miley Cyrus, DJ-in skocez Calvin Harris dhe reperin shqiptaro-amerikan Gashi.
Lipa sot ka qenë për vizitë në Ambasadën e Britanisë së Madhe ku është takuar me ambasadorin Ruairi O’Connell, transmeton Koha.net. Po ashtu, këngëtarja 23-vjeçare ka qenë e shoqëruar nga babai i saj, Dukagjin Lipa.
Lipa mori pjesë në takimin që është mbajtur në Rezidencën e Britanisë në Kosovë mes artistëve, kreatorëve, aktivistëve të cilët sjellin ndryshime në vendin tonë përmes muzikës, artit, kulturës, etj.
Në një postim në Facebook për këtë takim, Ambasada e Britanisë në Kosovë e ka cilësuar këngëtaren 23-vjeçare si “krenaria e Britanisë dhe Kosovës”.
“Kurrë mos harroni se nga jeni. Krenaria e Britanisë dhe Kosovës, Dua Lipa, kaloi një pasdite në Rezidencën e Britanisë në takimin e artistëve dhe kreatorëve, vullnetarëve dhe aktivistëve duke sjellë ndryshime në Kosovë përmes muzikës, artit, kulturës, inovacionit dhe sportit”, ka shkruar Ambasada Britanike në Kosovë përmes një postimi në Facebook.