AAK-në nuk e do askush, injorohet nga Nisma dhe PSD

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, nga posti i kryeministrit, deputetët e kanë caktuar 22 gushtin si datë për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, partitë politike po përgatiten për zgjedhjet e parakohshme. Madje, zyrtarë dhe liderë të subjekteve politike kanë shpalosur edhe dëshirat se cilat parti preferojnë në koalicione parazgjedhore.

Deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe lideri i saj, Ramush Haradinaj, ditë më parë deklaruan se preferojnë të bëjnë koalicion me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, dhe Partinë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit.

Mirëpo, këto dy parti po duket se nuk janë edhe aq të ‘nxehta’ të shkojnë në koalicion parazgjedhor me AAK-në.

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, i ka thënë lajmi.net se ka ardhur koha që të gjitha partitë të shkojnë të vetme në zgjedhje.

“Unë mendoj se të gjitha partitë, pa përjashtuar as Nismën duhet të ecin vet. Të dalin me ofertat e tyre para qytetarëve dhe le të vendosin qytetarët se sa duan ta mbështesin secilën ofertë veç e veç”, ka thënë Sherifi.

Përkundër këtyre deklaratave, Sherifi shtoi se një vendim përfundimtar në Nismë, ende nuk është marrë.

Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate, bëri të ditur se kanë diskutuar vetëm për formimin e shtabit dhe shkuarjen në zgjedhje vetëm.

“Ne kemi diskutuar vetëm për formimin e shtabit dhe shkuarjen në zgjedhje vetëm, se si me i formu shtabet dhe me shku vetëm në zgjedhje. Nuk kemi pas diskutim serioz me njërën prej partive politike deri më tani për koalicione”, deklaroi Kuçi për lajmi.net.

Tutje, ajo tha se PSD është e interesuar të shkojë në zgjedhje me partitë e majta, dhe të krijojnë një bllok të majtë.

“Siç e tha edhe Sejdiu mbrëmë, ne jemi të interesuar të shkojmë në zgjedhje me partitë e majta,  të formojmë një bllok të majtë, mirëpo nuk e di sa ka interesim dhe sa do të mundemi me e shty këtë ide, kështu që puna e koalicioneve mbetët e paqartë edhe për neve”.

Sa i përket ‘ofertës’ së Haradinajt, për koalicion parazgjedhor, Kuçi tha se më partinë e tij nuk kanë përshtatje në programin zgjedhor.

“Kemi pa se publikisht Haradinaj është shprehur se do donte të bënte koalicion me PSD-në, kjo është e mirëseardhur por do duhet të diskutonim për shumë pika të programit tonë. E deri më tani nuk duket se kemi përshtatje në program zgjedhor”, ka përfunduar Kuçi.

Për koalicione parazgjedhore nuk po arrijnë të merren vesh as Lidhja Demokratike e Kosovës me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi të dyja po e duan kandidatin për kryeministër të vendit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme