Shefi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë ditës së sotme ka takuar Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Sardi. Mustafa e ka njoftuar ambasadorin rreth procesit dhe përgatitjeve që subjekti i tij po i bën për zgjedhjet e përgjithshme.
“Kryetari Mustafa e njoftoi Ambasadorin Sardi për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet e përgjithshme në të cilat LDK parapëlqen që të gjitha partitë të shkojnë të vetme. LDK do të përcjellë veprimet e partive tjera dhe do të ndërmerr veprime në përputhe me rrethanat politike”, thuhet në njoftimin e zyrtarëve të LDK’së.
Nga kjo parti, njoftojnë se LDK nuk ka shumë disponim për koalicione parazgjedhore.
“…..por mbi të gjitha po punojmë të fitojmë zgjedhjet në mënyrë që partitë që sot janë në opozitë të formojnë Qeverinë e re të Kosovës me një shumicë të qëndrueshme që u bën ballë temave të mëdha me të cilat po ballafaqohet vendi”, ka thënë gjatë takimit me ambasadorin italian kreu i LDK’së, Isa Mustafa.
E Ambasadori Sardi e uroi kryetarin Mustafa për rizgjedhjen në krye të LDK-së dhe theksoi që Kuvendi Zgjedhor ishte një takim i rëndësishëm në udhëtimin demokratik të LDK-së dhe vendit.
E sipas njoftimit të LDK’së, Qeveria e re në krye me të do të përqendrohet në zhvillimin ekonomik, përkrahjen e sektorit privat, avancimin e arsimit dhe shëndetësisë, sundimit të rendit dhe ligjit, luftimin e korrupsionit si dhe integrimet euroatlantike me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Ismet Beqiri dhe Besian Mustafa.