Agjencia Kundër Korrupsionit ka evidencuar shkelje ligjore në një tender të Komunës së Graçanicës që kishte për qëllim “Furnizim me rekuizita sportive dhe pajisje”.
Në opinionin e këtij institucioni është konstatuar se zyrtarët komunalë nuk i kanë zbatuar 3 nene të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP) dhe 1 nen të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për prokurimin publik, shkruan sot Koha Ditore.
Siç thuhet në arsyetimin e këtij opinioni, në bazë të dokumenteve të nxjerra nga sistemi elektronik i prokurimit, AKK-ja ka analizuar njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, ku ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues për këtë aktivitet të prokurimit ka paraparë procedurën e hapur, kontratë publike kornizë 24 muaj, të llojit furnizim, me vlerë të mesme të parashikuar në shumën 27.200.00 euro.
“Në kuadër të rubrikës III.2.4. Kapaciteti teknik dhe profesional kërkesa 1, Agjencia vëren se Autoriteti Kontraktues ka kërkuar nga operatorët ekonomikë të ofrojnë dëshmi se kanë përfunduar me sukses së paku tri kontrata të natyrës së ngjashme në tri vitet e shkuara nga data e publikimit të njoftimit të realizuara minimum në vlerë prej 45.000.00 eurosh. Kërkesë kjo për të cilën konsiderojmë se bie ndesh me nenin 69 të Ligjit në fuqi për prokurimin publik”, thuhet në arsyetimin e këtij opinioni.