Në listat zgjedhore të partive politike në zgjedhjet parlamentare që mund të mbahen pas disa javësh, mund të jenë të përfshirë sërish persona të dyshuar për korrupsion dhe krime, si dhe ata nën hetime dhe me akuza nëpër gjykata.
Një iniciativë e prezantuar vite më parë nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, përmes së cilit pretendohej t’iu ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje dhe puna në institucione shtetërore personave që kanë lëndë të hapura në gjykata, ende nuk është jetësuar.
Analisti i çështjeve politike nga Instituti Demokratik i Kosovës, Artan Murati thotë për Radion Evropa e Lirë se nisma e presidentit Thaçi për lista të pastra zgjedhore nuk arriti të jetësohet, pasi që, siç thotë Murati, vetë presidenti nuk ka dhënë një shembull të mirë duke larguar njerëz të tillë nga pozitat institucionale që kanë mbajtur.
“Presidenti Thaçi edhe në kohën kur ka qenë kryeministër nuk ka sjell një shembull të mirë që t’i largojë njerëzit që kanë qenë të apostrofuar për afera korruptive apo çështje tjera. Politikanët duhet të japin shembull personal para se të ofrojnë opsione për publikun apo t’i pasojnë si ide”, thotë Murati.
Kuvendi i Kosovës pritet të shpërndahet më 22 gusht. Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Murati thotë se në këto zgjedhje partitë politike do të duhet të jenë të kujdesshme dhe se në listat zgjedhore nuk duhet të kenë të përfshirë persona nën hetime apo me të kaluar kriminale.
“Mënyra se si zhvillohet pastaj puna në institucione qoftë në Kuvend, qoftë në Qeveri ndikon shumë se çfarë përmban një listë zgjedhore sepse këta individë të cilësdo parti politike që do t’i fitojë zgjedhjet do t’i japin formë mënyrës së qeverisjes, prandaj është e rëndësishme të garantohet integritet fillimisht brenda listave zgjedhore në mënyrë që t’i hapet rrugë integritetit të institucioneve të cilat do të konstituohen pas zgjedhjeve të përgjithshme”, thekson Murati.
Përfaqësuesit e mekanizmave ndërkombëtarë para zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, patën kërkuar që partitë politike të mos i fusin në lista zgjedhore personat që janë përballur me procedura penale apo që kanë pasur të ngritura procedura penale.
Pavarësisht thirrjeve që u janë bërë nga diplomatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, partitë politike në zgjedhjet e kaluara patën garuar edhe me kandidatë nën hetime, duke pretenduar se askush nuk është i fajshëm, përderisa nuk ka një vendim të prerë nga gjykata.
Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i organizatës Demokraci për Zhvillim, tha për Radion Evropa e Lirë se subjektet politike nuk i kanë respektuar thirrjet as të shoqërisë civile dhe as të përfaqësuesve ndërkombëtarë për lista të pastra zgjedhore.
“Nëse i marrim parasysh zgjedhjet e vitit 2017 dhe krahasojmë ato me zgjedhjet e vitit 2014 apo 2011 partitë kanë pasur më shumë kujdes në hartimin e listave sidomos nga personat që kanë pasur problem me ligjin, por kjo krejtësisht nuk ka qenë e zbatuar nga partitë. Ne si shoqëri civile kemi avokuar që të kemi një listë ku partitë nuk do përfshijnë personat që kanë probleme me ligjin, por jo të gjitha listat kanë qenë të pastra”, thotë Emini
Emini shton se nëse partitë politike janë të sinqertë në deklaratat e tyre për luftën ndaj korrupsionit atëherë sipas tij, fillimisht ata duhet të bëjnë pastrimin e partive nga personat të cilët kanë probleme me ligjin, që pastaj të mund të luftojnë korrupsionin në nivel vendi.
Në mungesë të një kodi përmes së cilit do të pranoheshin rregullat e reja për pjesëmarrje në zgjedhje, lë të hapur mundësinë që partitë politike të vendosin vetë nëse në lista do t’i përfshijnë edhe personat me lëndë të hapura nëpër gjykata për vepra të ndryshme penale.
Gjatë të gjitha mandateve paraprake, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ministra të Qeverisë dhe poste nën-ministrore e deri te përfaqësuesit e institucioneve në nivelin lokal, janë ballafaquar në vazhdimësi me aktakuza, gjykime dhe ndjekje penale.