Departamenti amerikan i Drejtësisë përmes një komunikate për shtyp e ka konfirmuar ekstradimin e parë nga Kosova në ShBA.
Ymer Shahini, i dënuar për mashtrim, është ekstraduar në ShBA.
Ai ishte i kërkuar nga Drejtësia Amerikane, ndërsa u arrestua në Kosovë për përfshirje në një skemë mashtrimesh me letra me vlerë.
Avokati i ShBA-ve në Qarkun Jugor të New York-ut, Goffrey Berman ka treguar se Shahini ka luajtur një rol të madh në mashtrime multimilionëshe.
“Siç pretendohet, Ymer Shahini luajti një rol jetësor në një mashtrim multimiliona dollarësh, duke shërbyer si një burrë për të fshehur pronësinë e dobishme të aksioneve. Tani me ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës dhe Zyrës së Drejtësisë së Departamenteve Ndërkombëtare të Drejtësisë, Shahini është në SH.B.A. dhe po përballet me drejtësinë në gjykatën federale në Rrethin tonë“, përfundoi ai.
Sipas departamentit amerikan të Drejtësisë, nga viti 2009 deri në vitin 2011, Jason Galanis, së bashku me bashkëpunëtorët tjerë, John Galanis, Gary Hirst, Derek Galanis, Ymer Shahini, dhe Gavin Hamels, u përfshinë në një skemë për të mashtruar aksionarët e Gerova Financial Group, duke realizuar transaksione të letrave me vlerë në këtë kompani.
Në shkurt të vitit 2017, Jason Galanis është dënuar me mbi 11 vjet heqje lirie.
Në mars të vitit 2016, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kishin nënshkruar marrëveshjen për ekstradim, që sipas zyrtarëve kishte për qëllim, përveç forcimit të partneritetit dhe përcaktimit për rend dhe ligj, të garantojë po ashtu se kriminelët që paraqesin rrezik për rendin dhe sigurinë e qytetarëve e të dyja vendeve, do të ndiqen dhe do të vihen para drejtësisë.