Dardan Molliqaj, ish-deputet i PSD-së, ka thënë se sipas sondazheve të fundit, në Kosovë prin koalicioni AAK-PSD.
Ai ka thënë se në “asnjë sondazh Vetëvendosje s’ka dalë e para”.
Molliqaj ka thënë se matja e fundit që e nxori, sipas tij, koalicionin PSD-AAK në vend të parë, u bë pas datës 3 gusht, kur Isa Mustafa u rizgjodh në krye të LDK-së.
“Ka sondazh që dalim të parët. Para se të bëhet koalicioni, pas datës 3 gusht është testuar koalicioni dhe jemi të parët por me diferencë të vogël. 0.7 për qind apo 0.9 ka qenë dallimi me VV-në sepse sondazhi është arrit një ditë pasi u zgjodh Mustafa kryetar i LDK-së e mënyra e zgjedhjes dhe fakti që u zgjodh ai e ne e dimë që ai është i papëlqyer nga elektorati e kjo e zbriti LDK-në. VV e LDK kishin dallim më pak se një për qind”, ka shtuar ai.
Molliqaj në Interaktiv ka thënë se megjithatë “dallimi në fund do të jetë edhe më i madh”.
Ai ka thënë se “nuk ekziston ndonjë sondazh që e nxjerr VV-në të parën”. Ka shtuar se “LDK-ja ishte e para prej ndarjes së VV-së, qe dy vjet, por prej 31 për qind ka rënë në 21”
Molliqaj ka thënë po ashtu se sipas leximeve të tij “shumë njerëz që presin të marrin vota më së shumti do të kenë zhgënjim”.
Ai ka thënë se për të treguar matjet saktësisht duhet të shihet puna në terren, të bëhet leximi i mirë i matjeve dhe të ketë program të mirë qeverisës.
“Janë dy-tri gjëra. E para, puna në terren dhe ata që merren me këtë punë e shohin ku ndodh ndryshimi. Pata fol më 2017 që votuesi po ndërron. Kanë menduar se është vullnet, propagandë, e pak ishin që besuan. Kjo shihet edhe sot. Situata në terren ka ndërruar rrënjësisht. Ka lëvizje të mëdha të votuesit. Dy parti që ishin vazhdimisht në rritje janë AAK-PSD. AAK ndjeshëm në kohën e fundit. E dyta, janë matjet e opinionit publik. Në krahasim me ata që ja kanë nisë me fol, besoj që jam ekspert. Ndërlidhja që duhet të bëhet me tabelat e numrave tregon shumë më shumë se numri. Prej leximeve tona, kjo çështje tregon që jemi aty si dy subjekte dhe si kandidat për kryeministër. Kandidati është goxha me ndikim në përcaktimin e fituesve në fund. Gara është për program dhe njeriun. Në anën tjetër që ka kryer punë, dhe ata që flasin për atë punë. Votuesi zgjedh atë që ka kryer punët. E treta, unë nga përvoja që besoj se e kam, programi që ka për të ofruar PSD dhe AAK e kandidati për kryeministër do të jetë shumë i qartë. Besoj që PSD-ja luan rol të rëndësishëm”, ka thënë ai.