Belegu: Edhe unë kam menduar se Haradinaj qet haraç, por jam bindur se s’është ashtu

Duke folur për deklaratat e më hershme të eksponentëve të tash PSD-së, veçmas të Dardan Molliqajt se AAK-ja është parti e haraçit, Belegu ka thënë se ato janë deklarata mes kundërshtarëve politikë.

“Ndoshta para se të hy në AAK edhe unë kam pasur mendim të njëjtë për Ramush Haradinaj, por kur kam hyrë e kam parë që nuk është ashtu. Kam parë që ai është në gjendje sërish që të sakrifikojë familjen për Kosovën”, ka thënë Belegu.

Belegu ka mohuar se si këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj ka ndihmuar që të zhvillohen bizneset e tij.

“Unë i kam shitur të gjitha aksionet në të gjitha bizneset e mia”, ka thënë Belegu.

Belegu ka treguar se Haradinajn e ka fqinjin e dytë në kompleksin e shtëpive që e ka ndërtuar firma e tij.

“Ka marrë kredi në Raiffeisen Bank. E vërtetë është se shtëpinë ia kemi dhënë më lirë. Por shumë miqve ia kemi dhënë më lirë. Kontrata është private, por banka e di”, ka thënë Belegu.

Belegu ka folur edhe për kompleksin e ri të shtëpive në lagjen Prishtina e Re, por sërish ka mohuar se kjo ka lidhje me postin e tij në Qeveri.

Kompleksi Prishtina e Re, për të cilin janë marrë vesh Ramush Haradinaj si kryeministër dhe Shpend Ahmeti si kryetar i Prishtinës, e ku është thënë se do të ndërtohen edhe godina të institucioneve shtetërore, Belegu ka thënë se në këtë rast përfitues do të jetë shteti. Sipas tij, shteti do të ofrojë tokën e vet për investitorët e në kompensim të kësaj do të marrë 30 për qind të hapësirës ndërtimore, e që sipas tij mund të arrijë në mbi 1 milion metra katrorë.

Belegu nuk e ka përjashtuar mundësinë që, siç ka thënë, ish-firma e tij, të marrë punë në këtë kompleks, por ka thënë se sipas planit aty do të ketë punë për të gjithë ndërtuesit në Kosovë.

Belegu ka thënë se Haradinaj ka gabuar me rritjen e pagës, por, sipas tij, ai “meriton pagë më të lartë për punën që bën”. Belegu ka thënë se Haradinaj ka punuar 14 orë në ditë. Sipas tij, ai e meriton një mandat të ri para të tjerëve, për shkak “se e ka dëshmuar që punon”.

“E dëgjova sot kryetarin e VV-së, Albin Kurtin, edhe është e lehtë me bë siç thoshte ai. Thjesht e zhbën Kushtetutën dhe i ndërron nja 85 ligje. Kemi gabime edhe ne. Mendoj se Qeveria s’ka vetëm një gabim. Pagat janë një nga to. Por secili gabon. S’gabon vetëm ai që rri te shtëpia, apo fle. Sikur qeveria Mustafa që flinte e s’ka asnjë punë për t’u mbajtur në mend”, ka thënë ai.

Belegu ka thënë se personalisht do të preferonte një koalicion paszgjedhor me LDK-në, ndërsa ka përjashtuar VV-në e PDK-në.

“AAK-LDK më duket më natyrale. Me VV-në do të kishim probleme për shkak të konceptit ekonomik. Ata e kanë konceptin komunist. PSD-ja s’e ka njëjtë. Do të dalë programi jonë. Kemi akomoduar disa kërkesa të tyre. Jemi më të afërt ne në pikëpamje dhe deri sa e afruam programin, e mendoja sikur të hynin LDK-VV si do të sinkronizoheshin. Aleanca është më e afërt në këtë pikëpamje me LDK-në. S’mendoj më koalicion me VV-në e PDK-në”, ka shtuar ai. 23:45

Belegu: Vetëvendosje dëshiron t’ia japë tregun e Kosovës mikut të tyre, Serbisë

Sipas Erolld Belegu, këshilltarit të kryeministrit në dorëheqje, Vetëvendosje me idenë e reciprocitetit me Serbinë, po dëshiron t’ia japë tregun këtij shteti, që sipas tij, është mik i VV-së.

Ai ka thënë se ideja për reciprocitet nënkupton që të hapet tregu plotësisht, ku Serbia do të sillte në Kosovë mallra me vlerë 700 milionë euro, e Kosova në Serbi rreth 30 milionë euro.

“VV-ja thotë reciprocitet, formë ndryshe për të hequr taksën. Ne importojmë 700 milionë euro nga Serbia e ata 30”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së duke shtuar se në këtë rast 700 milionë euro mallra serbe do të hynin në Kosovë, e 30 milionëshi i Kosovës do të hynte atje, ndërsa bizneset do t’i bllokonin mallrat e Kosovës brenda Serbisë. “Kështu do t’ia hapin mikut të tyre, Serbisë, tregun. Ashtu po duket. Nëse duan reciprocitet, me e hap tregun, ashtu i bie”.

Sipas Belegut, VV-ja po e bën këtë që “t’u hyjë në qejf ndërkombëtarëve, sepse e di që nuk i preferojnë shumë”.

Ai ka thënë se lideri i VV-së, Albin Kurti e ka kundërshtuar edhe LDK-në, ndërsa tash po thotë se është e mirë.

“VV e ka të qartë, dëshiron pushtetin dhe është e gatshme të premtojë gjithçka. Kauzën për bashkim kombëtar ua ka marrë presidenti, e për shtet brenda kufijve ua ka marrë Haradinaj me vepra jo me fjalë. Kanë mbetur pa kauzë”, ka shtuar ai. 23:34

Belegu tregon se për çka do të mbahet mend Qeveria Haradinaj

Erolld Belegu, ish-këshilltar i kryeministrit të dorëhequr Ramush Haradinaj, që së fundmi edhe ka aderuar në AAK, në Interaktiv të KTV-së ka treguar se është bashkuar me këtë parti sepse fillimisht kishte kureshtje, por siç tha ai, “duke parë punën e Haradinajt, u ndjeva të bashkohem”.

Belegu ka thënë se beson që do të kandidojë për deputet të AAK-së, megjithatë nesër do të merret vesh gjithçka përmes Këshillit të Përgjithshëm.

“Mendoj se disa veprime të disa partive me njerëz të korruptuar, është lojë politike për vota”, tha Belegu, kur foli për njerëzit me aktakuza.

Kur i janë përmendur personat që kanë aktakuza në AAK, ai tha se s’mund të flitet derisa të vërtetohet që këta persona, janë përfundimisht me aktakuza.

Belegu, ka kritikuar PDK-në duke thënë që shumë njerëz në PDK janë të akuzuar dhe tani po flasin se si do ta luftojnë korrupsionin.

“Të gjitha partitë po flasin për korrupsionin tash, por të gjitha partitë duhet të reflektojnë”, tha ai.

“Gjithnjë e më pas njerëzit në pushtet do të guxojnë të abuzojnë me shtetin”, shtoi tutje.

Kur ka folur për koalicionin e AAK-PDK, ai tha se AAK-ja e ka menaxhuar mirë pozicionin e vet.

“Thyerja e koalicionit s’ka qenë për tendera. Jemi prishur për interesa të shtetit. Kur Haradinaj u pozicionua në mbrojtje të shtetit, PDK-ja, Veseli e të tjerët s’i qëndruan afër”, tha ai.

Belegu, tutje shtoi se Qeveria Haradinaj do të mbahet mend për shumë gjëra.

“Qeveria Haradinaj ka qenë shumë e suksesshme, përfshirë këtu Ushtrinë e Kosovës e taksën 100%. Taksa s’do të harrohet, s’duhet të hiqet, u ka ndihmuar të gjithëve e më së shumti shtetit”, tha ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme