Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot në takim zyrtar kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, të cilit i shprehu mirëseardhje dhe suksese në punën e tij.
Ministri Hoxhaj shprehu gatishmërinë për intensifikimin e kontakteve dhe për bashkëpunim më të madh ndër-institucional, duke shtuar se qytetarët e Luginës së Preshevës kanë mbështetjen e institucioneve të Kosovës për garantimin e të drejtave të tyre në Preshevë.
U bisedua edhe për projekte dhe aktivitete konkrete që mund të realizohen dhe që do të kishin ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Preshevës.
“Biseduam për ide projektesh dhe aktivitete konkrete të cilat mund t’i realizojmë së bashku. Realizimi i tyre do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve të Preshevës”, deklaroi Hoxhaj.
Të dyja palët u dakorduan për vazhdimin e kontakteve dhe koordinimin e vazhdueshëm në mes të institucioneve të Kosovës dhe komunës së Preshevës për aktivitetet dhe projektet e ardhshme të përbashkëta.