Gjykata Speciale në dy ditët e fundit ka dërguar dhjetëra ftesa për ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ftesa të tilla priten edhe në ditën në vijim.
Madje njohës të rrethanave politike në vend, po paralajmërojnë arrestime dhe burgime nga Gjykata Speciale.
Analisti politik, Ramush Tahiri, në një prononcim për EkonomiaOnline, thotë se ftesat e Speciales për ish-pjesëtarët e UÇK-së, janë normale dhe si të tillë duhet të merren.
Ai thotë se nga kjo Gjykatë pritet të thirren rreth 300 persona, në mesin e tyre edhe udhëheqësit më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare.
“Gjykata është për UÇK-në dhe do të thirren edhe të tjerët, është me prit shumë normale që në proces të gjykatave do të shkojnë së paku 300 veta. Njerëzit frikohen kur thuhet numër i madh ose i vogël, por nëse gjykata e ka emërtimin për pretendimet për krimet e kryera nga UÇK, domethënë merret shtabi i përgjithshëm se është strukturë organizative, komandantët e brigadave, komandantët e policisë, njësitë operative sepse komplet struktura e UÇK-së trajtohet”, thotë ai.
Përveç intervistimeve, Tahiri thotë se në ditët në vijim do të fillojnë edhe arrestimet dhe burgosjet e të ftuarve, pasi që procedurat gjyqësore nuk mund të zhvillohen përderisa të akuzuarit janë të lirë, kjo për shkak të mundësisë së ndikimit në dëshmitarët e mundshëm.
“Për çdo vrasje që ka ndodhur ose çdo krim në periudhën e caktuar një vjet pas luftës dhe dy vite para luftës është periudha e përcaktuar me ligj dhe ligji është votuar në Kosovë dhe priten edhe arrestimet dhe burgosjet, sepse hetimet nuk mund të zhvillohen në gjendje të lirë për disa raste për shkak se natyra procedura është ndikimi në dëshmitarë edhe në vetë procesin edhe për shkak të frikës se janë të gatshëm me ju dorëzua gjykatës apo jo. Për momentin të gjithë thonë që lufta e UÇK-së ka qenë e pastër që është fakt, të gjithë thonë që do ta mbrojnë pastërtinë e kësaj luftë që është fakt, por asnjëri nuk thonë që do të përgjigjet për rastin konkret. Dhe Gjykata vendos ne rastin konkret se a ke pas fajtorë apo s’ka fajtorë dhe a është e arsyeshme apo s’është e arsyeshme dhe se a është e pranueshme me ligje të luftës apo jo”, thotë ai.
I pyetur nëse një ftesë e tillë mund të vije edhe në adresë të presidentit Hashim Thaçi, Tahiri thotë se nuk e di a do të ndodh apo jo, por këshillon të parin e shtetit se nëse ndodh një gjë e tillë duhet të japë dorëheqje nga pozita që ushtron.
“Përgjegjësia është individuale e secilit, unë mundëm me këshillua por ai është përgjegjës para ligjit para Kushtetutës dhe përgjegjës edhe para popullit. Ai e përcakton a jep dorëheqje a jo, po të isha unë do të kisha dhënë dorëheqje, por ai duhet ta respekton obligimin ligjor. Me ligj secili i dyshuar nuk mund të kryen funksion, jep dorëheqje si të bëhesh i dyshuar, ngritet aktakuza nuk mundesh të kryesh funksion, por duhesh me ju dorëzua institucioneve të drejtësisë. A do të merr ftesë a jo, nuk kam fakte po të kisha do ta kisha quar vet në prokurori që dikush është i përzier në ndonjë krim, sepse krimet ndaj vrasjeve, ndaj jetës, dhunimet nuk vjetrohen asnjëherë dhe secili qytetarë e ka obligim edhe në qoftë se dëgjon për me e qua dhe prokuroria vendos në bazë të fakteve dhe në bazë të punës”, thotë ai.
Tahiri vlerëson se Kosova ka bërë një gabim të madh kur vendosi të themelojë këtë Gjykatë.Sipas tij gjykata të njëjta themelohen vetëm kur në pyetje janë organizatat terroriste.
“Unë konsideroj që Kosova ka bërë gabimin trashanik kur e ka miratuar një Gjykatë të tillë me një emërim të tillë sepse kjo them ka ndodhur te organizatat terroriste që shpallen jashtë ligjit ose të listat e zeza që i shpallë Bashkimi Evropian, por edhe presidenti i ShBA-ve. Nëse kjo gjykatë është shumë efikase dhe e kryen punën qysh e ka mandatin për 5 vjet nuk kërkon një mandat shtesë atëherë do të del që për luftën në Kosovë më shumë janë të dënuar shqiptarët etnik sesa që do të jenë serbët”, thotë ai.
Gjykata Speciale e themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, do t’i hetojë krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë. Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët patën votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.
Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.