Taksa e lë pa para Fondin për zhvillimin e veriut

Taksa e vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ka varfëruar Fondin e Mirëbesimit, i cili është krijuar për zhvillimin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, thonë përfaqësues të shoqërisë civile në pjesën veriore të Kosovës.

Fondi i Mirëbesimit është themeluar mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 për doganat, ku Prishtina dhe Beogradi me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ishin dakorduar për themelimin e tij në funksion të zhvillimit të komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas kësaj marrëveshjeje, paratë e mbledhura përmes mallrave që importohen në pikat kufitare në veri, përkatësisht në Jarinë dhe Bërnjak, të destinohen në Fondin për zhvillimin e katër komunave veriore: Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Deri në fund të vitit 2018, vlera e këtij Fondi ka arritur në mbi 15. 5 milionë euro, kurse 11 milionë euro janë shpenzuar në 30 projekte të ndryshme, disa nga të cilat janë në fazën e zbatimit, thuhet në faqen zyrtare të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Fondi, sipas BE-së, favorizon investimet në projektet publike, të cilat mund të kenë ndikim në zhvillimet socio-ekonomike në komunat në veri.

Veçanërisht, projektet që propozohen duhet të kenë për qëllim përmirësimin e jetës së banorëve lokalë. Këto projekte duhet të jenë financiarisht të zbatueshme, me kosto efektive, substanciale dhe të jenë në mbrojtje të mjedisit.

Destinimi i Fondit ndërlidhet me projektet për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës publike, përfshirë rrugët, spitalet, furnizimin me ujë, trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave. Po ashtu, Fondi mbështetë edhe projektet për bizneset, gratë, shoqërinë civile, promovimin e të drejtave të njeriut, arsimin, qasje në kujdesin shëndetësor dhe transportin.

Por, që nga nëntori i vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën doganore 100 për qind ndaj të gjitha importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, importet nga Serbia kanë rënë në minimum.

Përfaqësues të shoqërisë civile në pjesën veriore të Kosovës, thonë se që nga vendosja e taksës, sasia e importit është zvogëluar dukshëm dhe rrjedhimisht edhe të hyrat për këtë Fond.

Dragisha Mijaçiq, nga Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (INTER), në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se që nga vendosja e taksës nuk ka më mjete që grumbullohen në këtë Fond dhe rrjedhimisht nuk ka as financim të projekteve të reja.

“Në vitin e fundit, mendoj që ka pasur krejtësisht pak mjete që janë derdhur në atë Fond dhe natyrisht që ky është një nga efektet më negative që ka ndodhur me futjen e taksës për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Pikërisht për këtë shkak, Fondi për zhvillimin e katër komunave të veriut të Kosovës, e ka humbur çdo kuptim”, tha Mijaçiq.

Funksionimi i Fondit vendoset nga Bordi menaxhues. Ky bord përbëhet nga tre anëtar: – I dërguari i Posaçëm i BE-së në Kosovë ka postin e kryetarit, ministri i Financave të Kosovës merr pjesë në emër të autoriteteve të Kosovës dhe një përfaqësues i komunitetit serb që vjen nga katër komunat veriore.

Në faqen zyrtare të zyrës se Bashkimit Evropian në Kosovë, thuhet se të ardhurat nga të dy pikat e kalimit transferohen në një llogari në një bankë tregtare në Prishtinë të përcaktuar nga BE-ja.

Edhe Lulzim Rafuna, këshilltar i ministritë në largim të Financave, Bedri Hamza, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se deri më tani janë shpenzuar më shumë se 11 milionë euro apo 78 për qind e fondit për projekte të ndryshme.

“Projektet kapitale kanë të bëjnë me projekte të ujit, me çështjen e ndërtimit të rrugëve, ndërtimin ose rindërtimin e shkollave, në qendrat sportive që ndihmojnë në socializimin e të rinjve, e tjera”, tha Rafuna.

Ndërkaq, Dragisha Mijaçiq, thotë se mjetet nga ky Fond janë shfrytëzuar për ndërtimin e rrugëve, blerjen e pajisjeve, ndërtimin e objekteve të ndryshme publike. Rrallëherë, thotë ai, projektet kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, duke dyshuar se kohëve të fundit ka mungesë edhe të transparencës për projektet e fituara.

“Mjetet më shumë janë shpenzuar në zhvillimin e infrastrukturës komunale, infrastrukturës sportive ose në objektet që kanë rëndësi kulturore, në arsimim dhe të tjera”.

“Karakteristike për Fondin zhvillimor është që në kohët e fundit është zvogëluar transparenca, madje edhe rreth raportimeve për atë se cilat projekte kanë fituar të drejtën për financim dhe cilat jo”, tha Mijaçiq.

Bazuar në një raport të publikuar në faqen zyrtare të BE-së, edhe pse të dhënat nuk janë të fundit, Komuna e Mitrovicës së Veriut ka shpenzuar më shumë se 3.4 milionë euro nga ky fond, pasuar nga Komuna e Zveçanit me 3 milionë euro, Komuna e Zubin Potokut me mbi 2.5 milionë euro dhe Komuna e Leposaviçit me mbi 2 milionë euro.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme