Vdekja e Labinot Misinit në Burgun e Kumanovës dyshohet të jetë shkaktuar nga pirja e tepruar e pilulave qetësuese, thonë familjarët. Sipas tyre, kontaktin e fundit përmes celularit me 22 vjeçin e kishin pasur dje para orës 15, i cili u kishte thënë se ka kokë dhimbje. Anëtarët e familjes i thanë Alsatit se ai nga të burgosurit tjerë ka kërkuar ndihmë, por sipas tyre, në mungesë të mjekëve të turnit të natës brenda burgut, gardianët nuk thirrën emergjencën nga spitali i Kumanovës. Kurse, nga Drejtoria për zbatimin e Sanksioneve thonë se janë marrë të gjitha masat që të zbardhet rasti.
Menjëherë pas ngjarjes janë thirrur policia dhe prokurori kujdestar, të cilët kanë hapur hetimin. Janë kontrolluar kamerat e sigurisë, janë marrë në pyetje rojet e burgut dhe të burgosurit nga reparti, ku po vuante dënimin tanimë i ndjeri, i cili në qeli ka qenë i vetëm”-thonë nga Drejtoria për zbatimin e Sanksioneve.
Nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut janë të njohur konkretisht me rastin e marrjes së terapive ani-depresive të Labinotit që kur i ndjeri kishte qenë në burgun për të mitur në Ohër, ku po vuante dënimin prej 1 viti. 22 vjeçin nga Ohri është sjell para 10 ditësh në burgun e Kumanovës, prej ku duhej të lirohen pas tri javësh. Sipas këshilltares juridike Sibela Ahmet me mos trajtim të duhur mjekësor ndaj të burgosurve shteti po shkel të drejtat themelore të njerëzve të privuar nga liria.
Ne do ta ndjekim deri në fund rastin konkret dhe apelojmë tek autoritetet shtetërore të zbatoj hetim efektiv, të bëj ekspertizë konkrete se si ka ardhur deri të vdekja e tij. Kush është përgjegjës? Sepse, sipas informacioneve jozyrtare, bëhet fjalë për mbi dozë, nëse ajo është e vërtetë duhet të ekzaminohen arsyet se nga janë futur brenda qelive ato pilula që i ka marrë personi dhe për çfarë arsye nuk është reaguar me kohë nga ana e gardianëve për të parandaluar këtë tragjedi”-tha Sibela Ahmet, Komiteti Helsinkit.
Nga SPB Kumanovë thonë se për rastin e paraqitur mbrëmë më 20.20 që në Qendrën Ndëshkuese Korrektuese “Këshenje” është gjetur i vdekur 22 vjeçi L.M. në nuk ka pasur shenja të dhunës.
Me urdhër të prokurorit publik, trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion. Nga mjekësia ligjore thonë se janë në përpunim të analizave të autopsisë dhe rezultatet do t’i kumtohen prokurorisë. Të dhënat zyrtare flasin se nga 2017 e deri më sot mbi 30 të burgosur kanë vdekur në Burgjet e shtetit./Alsat