Vetëvendosje për protestën në Tiranë: Vuçiç nuk vendos për shqiptarët

Lëvizja Vetëvendosje, dega Tiranë ka bërë edhe një herë thirrje për protestën-marshim në Tiranë, ndërsa thotë se kjo protestë nuk duhet të shqetësojë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Marshimi paqësor qytetar i datës 28 Nëntor në Tiranë, i organizuar nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, i paska shqetësuar propozuesit e idesë së “Mini-Schengenit”. Së fundmi edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, është shprehur kërcënueshëm ndaj këtij aktiviteti publik.

 

Pse duhet ta shqetësojë Vuçiçin një aktivitet paqësor që kërkon ndër të tjera, zbatimin nga Tirana zyrtare të marrëveshjeve që ajo i ka lidhur me Prishtinën zyrtare? Ndoshta Vuçiç dëshiron dhe kërkon që Shqipëria të mos i zbatojë marrëveshjet e saj me Kosovën, siç ai vetë nuk ka zbatuar detyrimet që lindin nga marrëveshjet e Kosovës me Serbinë”, thuhet në deklaratë.

 

Më tej Vetëvendosje shprehet se “Vuçiç nuk mund të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Shqipërisë, e as të Kosovës. Nuk i përket atij të komentojë marrëveshjet e rregullta të dy shteteve të pavarura shqiptare. Ne e kuptojmë se nga perspektiva e tij prej ish-ministri të Millosheviçit dhe ish-sekretari të Sheshelit, Kosova është ende nën zgjedhën e Serbisë. Mirëpo, për Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj Kosova është e pavarur dhe sovrane, e njohur nga shumica e demokracive të zhvilluara perëndimore, dhe në aleancë me to. Vuçiçi dhe gjithë politikanët e tjerë shovenë, nuk mund ta zhbëjnë këtë realitet. As nuk mund ta evitojnë njohjen e Kosovës me formula si “Mini-Schengeni”.

“Vuçiç,me ndërhyrjet e tij kërcënuese nga jashtë, nuk është person i dëshiruar në Shqipëri, dhe aq më pak ka ai të drejtë të flasë në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në datën 28 Nëntor, për Ditën e Flamurit, në Tiranë, në orën 12:00, tek Monumenti i heroit kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, me 16 kërkesat që janë bërë publike, ne marshojmë drejt monumentit të “Adem Jasharit” për të bashkuar kauzat e për integrim të mëtejshëm kombëtar drejt bashkimit. Gjejmë rastin t’i ftojmë edhe një herë qytetarët të ecim së bashku në solidaritet”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme