Sot 103 vjet nga Konferenca e Londrës, në të cilën u vendos përgjysmimi i trojeve shqiptare dhe fati i saj.Konferenca e Ambasadorëve i filloi punimet në dhjetor të 1912-s, duke vazhduar deri më 29 korrik 1913.
Ajo mund të ketë qenë përcaktuese e të ardhmes së Shqipërisë mbi pavarësinë e vendit, por siç dihet nga këtu Shqipëria doli e përgjysmuar në kufijtë e saj.
Kjo konferencë u diktua prej shpërthimit të luftës së parë ballkanike. Morën pjesë fuqitë e mëdha të Evropës, përfaqësuesi i perandorisë osmane dhe përfaqësues të fuqive ballkanike, me përjashtim të Shqipërisë (që nuk njihej) dhe të Greqisë (që nuk e kishte nënshkruar armëpushimin).
Nga kjo konferencë doli Traktati i Londrës, mbi ndarjen e territoreve që dolën jashtë perandorisë osmane prej fuqive të mëdha dhe aleatëve të tyre.
Ky Traktat mbeti i fshehtë deri në Konferencën e Versajës (1918). Të gjitha fuqitë e mëdha paraqitën versionin e tyre të hartës së Shqipërisë. Harta më e favorshme për shqiptarët ishte ajo e propozuar nga Austro-Hungaria.
Në këtë konferencë Shqipëria u njoh si principatë, që do të thoshte se forma e qeverisjes do të ishte monarkike, pushteti i trashëgueshëm, ndërsa pavarësia e kushtëzuar, sepse principata nuk arrin deri tek e drejta e shtetësisë.
Në këto kushte Ismail Qemali u detyrua të jepte dorëheqjen, qoftë për t’i hapur rrugën një princi të huaj, ksenokracisë; qoftë për t’u mbrojtur nga akuzat për t’u shpallur vetë sovran i vendit.
Ky është quajtur edhe viti i mbrapshtë i Shqipërisë, nga filluan shumica e fatkeqësive të saj: paqëndrueshmëria e sistemit politik, varësia prej së jashtmi, forca e madhe e ndikimit të të huajve dhe mbi të gjitha ndarja për gjysmën e territoreve të saj.
Shembja e sundimit turk në Ballkan do të bënte që fati i mëtejshëm i Shqipërisë të hynte në planet e reja të politikës së tyre ballkanike. Aleatët ballkanikë i trajtonin krahinat shqiptare si trofe lufte.
Ata treguan kështu se ishin të vendosur të vepronin sipas marrëveshjeve të fshehta që kishin lidhur më parë me njëri-tjetrin, se ishin kundër një Shqipërie më vete.
Pjesëmarrës në këtë konference ishin ambasadorët e Fuqive të Mëdha, ai i Austrisë, i Gjermanisë, i Italisë, i Francës dhe i Rusisë. Si përfaqësues dhe ministër i Jashtëm i vendit pritës, Eduard Grei, ishte njeriu që u zgjodh kryetar i përhershëm i Konferencës.
Pra, 22 marsi i vitit 1913 është datë e vendimit të turpshëm dhe arbitrar i Fuqive të Mëdha, për copëtimin e Shqipërisë Etnike në dy pjesë.
Ky është një vendim i një kronike të zezë në historinë e popullit shqiptar. Kjo datë është pikënisje e të gjitha protestave dhe luftërave të pandërprera tëshqiptarëve.Nga kjo datë, më shumë se gjysma e territorit shqiptar hyri nën sundimin e shteteve të Ballkanit: Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë.
Me copëtimin e katër vilajeteve shqiptare përfituan: Serbia dhe Mali i Zi 62 500 km2, Bullgaria 55 000 km2, ndërsa Greqia 30 000 km2.”
Kundër këtij vendimi të Fuqive të Mëdha protestoi trimi i pushkës Isa Boletini, në takimin që pati me diplomatin e njohur anglez, Eduard Grei, në Londër, ku i thotë: “Shqiptarët kurrë nuk do t’i njohin këta kufij artificialë që i ka caktuar Evropa, me diktatin e Rusisë”. Kjo ishte vetëm fillimi i luftërave të pandërprera të një pjese të popullit të robëruar shqiptar, për çlirim nacional dhe bashkim kombëtar, deri në zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, edhe pse shënoi një ngjarje me rëndësi të madhe historike për tërë kombin shqiptar kudo që ndodhej, ajo e gjeti popullsinë e nënshtruar nën sundimin serbo–sllav me një revoltë të pa përshkruar.