Oferta e re e VV-së për LDK-në: Gjithçka vendos Këshilli i Përgjithshëm

Plus një ministri, të cilën do ta përzgjidhte LDK-ja, është oferta e fundit të cilën Albin Kurti ia ka bërë Isa Mustafës.

Burime të gazetës brenda negociatave mes dy partive për arritjen e koalicionit kanë thënë se oferta është paraqitur në takimin e së enjtes së kaluar.

Edhe për postin e presidentit VV-ja është pajtuar që propozimi i kandidatit t’i takojë Lidhjes Demokratike

Por burimet kanë thënë se propozimi, të cilin e ka dhënë kreu i LDK-së të enjten, ishte që LDK-ja ta marrë kryeparlamentarin për vitin e parë dhe pastaj t’ia kthejë Vetëvendosjes, pasi të zgjidhet presidenti nga radhët e LDK-së, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo është refuzuar nga Albin Kurti, i cili ka thënë se zgjedhja e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit është proces i pakthyeshëm.

Ndonëse ky propozim është bërë në takimin Kurti-Mustafa, burime të gazetës brenda Grupit parlamentar të LDK-së dhe Kryesisë kanë thënë se çështja e rrotacionit të kryeparlamentarit nuk ka qenë paraprakisht pjesë e propozimeve brenda strukturave të LDK-së.

Këto burime kanë thënë se në takimin e fundit që u parapriu tri takimeve me VV-në, nënkryetarja Vjosa Osmani ka propozuar që “kryeparlamentari të kompensohet me njërën nga ministritë e rëndësishme”, raporton koha.net.

Sot ka reaguar edhe Avdullah Hoti i LDK-së.

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në takimin e fundit, LDK e ka dhënë ofertën e saj për bashkëqeverisje dhe se tani gjithçka është në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka shtuar se takimi i ardhshëm mund të bëhet nëse partia që ka dalë e para ofron zgjidhje për marrëveshje.

“Ne jemi të interesuar për takim, por vetëm për takim për marrëveshje, e jo për vetëm sa për tu takuar”.

Postimi i plotë:

Në të gjitha takimet e mbajtura deri më tani me Lëvizjen Vetëvendosje, ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për bashkëqeverisje duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor 2019.Vetëm një marrëveshje që reflekton këtë vullnet është e pranueshme për LDK-në dhe siguron stabilitet për Qeverinë për të kryer mandatin e plotë, që është tepër e nevojshme për të kryer reformat e nevojshme për zhvillim ekonomik e social dhe integrim evropian.

Fatkeqësisht, deri më tani nuk është arritur një marrëveshje e tillë.

Pavarësisht mos arritjes së marrëveshjes, në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor 2019, e kemi bërë të qartë se LDK angazhohet për themelimin e institucioneve të reja sa më shpejtë.

Është në dorën e partisë që ka dalë e para në zgjedhje të gjejë mënyrën për themelimin e institucioneve të reja.

Në takimin e fundit ne kemi dhënë ofertën tonë për bashkëqeverisje. Dhe tani gjithçka është në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Takimi i ardhshëm mund të bëhet nëse partia që ka dalë e para ofron zgjidhje për marrëveshje.

Ne jemi të interesuar për takim, por vetëm për takim për marrëveshje, e jo për vetëm sa për tu takuar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme