Skenarët që po e pengojnë marrëveshjen LDK – LVV

Takime të stërzgjatura, por pa rezultate konkrete u zhvilluan javën që lamë pas midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, parti këto që po synojnë bashkëqeverisjen për 4 vjetët e ardhshëm. Ndonëse këto bisedime kanë nisur qe tre muaj, LVV-ja dhe LDK-ja vazhdojnë të kenë dallime të theksueshme lidhur me postin e presidentit dhe tash edhe të kryeparlamentarit, shkruan e përditshmja Zëri.

Duke folur për zhvillimet LDK – LVV, njohësi i çështjeve politike Armend Muja shpreh mendimin që të dyja partitë, të cilat synojnë koalicionin qeverisës, LVV-ja dhe LDK-ja, tashmë janë në fazën kur i kanë tejkaluar mosmarrëveshjet për dikasteret specifike dhe rritjen e mundshme të numrit të dikastereve nuk e sheh si esenciale për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion. “Sado që nuk e përjashtoj faktin se çfarëdo kreativiteti aty në ndarje të dikastereve të veçanta mund ta lehtësojë marrëveshjen, por këta e kanë kriterin kushtetues, që në momentin kur shtohen ministritë, atëherë ministria e trembëdhjetë duhet t’u takojë komuniteteve. Pastaj është një ministri e humbur në këtë kalkulim të tyre. Do të thotë nuk mund ta marrë asnjëra prej tyre. Atëherë duhet bërë 14 ose 15 ministri dhe kjo e vështirëson atë konceptin mbi të cilin këto parti kanë fituar në zgjedhje”.

Muja vlerëson se as posti i presidentit dhe as ministritë specifike nuk janë aspektet kryesore që e pengojnë arritjen e një marrëveshjeje koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tij, të dyja këto parti sillen rreth dy skenarëve të mundshëm, të cilët po e pengojnë marrëveshjen. “Skenari i parë është skenari gjerman, ku partia e parë merr kryeministrin dhe partia e dytë merr zëvendëskryeministrin, si dhe partia e dytë merr presidentin dhe partia e parë merr kryetarin e Kuvendit, ndërkaq ndarja e ministrive është e barabartë. Ndërkohë, partneri i parë lëshon pe në një ministri derisa të zgjidhet posti i presidentit nga LDK-ja. Ky është skenari gjerman. Skenari i dytë, që unë mendoj se e kërkon LDK-ja, është të rikthehemi edhe një herë në datën 25 dhjetor”, ka potencuar ai.

Kthimi në situatën e datës para 25 dhjetorit, sipas analistit Muja, nënkupton se Lëvizja Vetëvendosje duhet të pajtohet me kërkesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës që të tërhiqet nga pozita e kryetarit të Kuvendit ose që kryetari i Kuvendit të japë dorëheqje. Megjithatë, Muja shprehet optimist se një marrëveshje për koalicion qeverisës ndërmjet këtyre dy partive politike do të arrihet.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme