Propozohet krijimi i Këshillit Kombëtar kundër Shpërnguljes

Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur i është drejtuar presidentit të vendit, Hashim Thaçi, me një letër në të cilën i propozohet që të krijohet Këshilli Kombëtar kundër Shpërnguljes.

Arsye për ngritjen e këtij këshillit, thuhet të jetë situata e rëndë të cilën e vlerëson kjo shoqatë, e cila është krijuar nga shpërnguljet masive, ilegale të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera.

Kryetari i kësaj shoqate, Jahja Lluka, në një prononcim për “Telegrafin”, deklaroi se kanë një plan konkret për të parandaluar largimin e njerëzve nga vendi, ndërsa shtoi se pjesë e këtij këshilli do të ishte edhe shoqëria civile.

“Ne plan konkret kemi, mirëpo plani konkret duhet të bëhet nga Presidenti, meqenëse ai duhet të krijojë këtë këshill, ku duhet të marrë pjesë edhe shoqëria civile, pasi që ikja e njerëzve është alarmuese. Ky hap duhet të merret nga institucionet përmes projekteve të veçanta, për të qëndruar rinia në Kosovë”, tha Lluka.

Ky këshill do të drejtohej nga kreu i shtetit, ndërsa në përbërje përpos shoqërisë civile do të merrnin pjesë edhe ministri i Diasporës, ai i Integrimeve Evropiane, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe ministri për Zhvillim Ekonomik dhe njerëz me influencë si akademikë, profesorë dhe veprimtarë të dalluar.

“Krijimi apo ri-formatizimi i Qeverisë, nuk mund ta pengoj largimin e njerëzve, as ministria e Diasporës s’mund të merret me këtë çështje por duhet që ministritë, shoqëria civile ta bëj këtë, e po ashtu edhe presidenti duhet ta kryej punën e vet si person unifikues”, u shpreh Lluka.

Sipas propozimit, ky këshill do të punonte me një fushatë të fuqishme publike dhe mediatike kundër shpërnguljes, do të krijonte komisione në çdo komunë për evidentimin të qytetarëve që kanë braktisur Kosovën gjatë vitit 2014-2015, do të evidentojë të gjitha mundësitë për krijimin ose ndihmën e nevojshëm në çdo rast të kthimit dhe riatdhesimit të qytetarëve tanë./KosovaPress/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme