Në një ceremoni të posaçme, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka dorëzuar Adem Demaçit titullin “Qytetar Nderi” si dhe “Çelësin e Qytetit” me motivacionin e intelektualit të shquar, simbol i rezistencës së gjithanëshme, për liri, pavarësi dhe prosperitet, për kontributin dhe sakrificat e tij ekstreme, dhe popullit të pavarur të Kosovës, si dhe për forcimin e lidhjeve tradicionale mes qytetarëve të të njëjtit Komb.
Në fjalën e tij të rastit, kryebashkiaku Veliaj u shpreh i lumtur që i jepej mundësia që t’i dorëzonte këtë titull nderi një figure kaq të madhe të çështjes shqiptare, aq më shumë kur një ditë e tillë përkoi edhe me festën e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Sot kemi një rast shumë të veçantë e nuk besoj se mund të kishte rastësi më të bukur se sa Ditën tonë të Pavarësisë ta kujtojmë duke i dhënë titullin “Qytetar Nderi”, mikut, vëllait e patriotit të madh, Adem Demaçi. Sot është një ditë e shenjuar për të gjithë shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri ku jemi sot, por kudo ku jetojnë ata në trevat tona në Ballkan apo në emigracion. Është shumë me vend që në një ditë si kjo të kujtojmë, jo vetëm ato figura që luftuan e shpallën pavarësinë tonë të parë, 104 vite më parë, por çdo shqiptar të mirë që ka luftuar për çështjen shqiptare”, u shpreh Veliaj.
Duke vlerësuar figurën e Adem Demaçit, Veliaj theksoi se ai është patriot i madh dhe një figurë qendrore në luftën për pavarësinë e Kosovës, dhe që tashmë, e ka siguruar vendin e tij të lavdishëm në historinë e gjithë shqiptarëve. Kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi edhe sakrificën e madhe e të gjatë që Demaçi bëri gjatë regjimit ish-jugosllav, duke vuajtur një pjesë të mirë të viteve të tij në burgjet politike.
“Duke zbritur vitet e tmerrshme të burgut, pothuajse 28 vjet, e kupton realisht se çfarë çmimi të lartë ka paguar patrioti Adem Demaçi për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Unë kam pak më shumë se 28 vjeç, por e di që 28 vite janë shumë, janë tmerrësisht shumë, kur krimi i vetëm që ke bërë është të ngresh zërin për të drejtat e popullit tënd dhe njerëzve të tu. Ishte ndoshta besimi te drejtësia e kauzës për të cilën po sakrifikonte, që e bëri Adem Demaçin, Mandelën e Ballkanit, të duronte aq shumë dhe pa u dorëzuar dhe pa asnjë kompromis. Ne jetojmë sot në kohë krejt të ndryshme, lavdi Zotit! Nuk na kërkon kush të bëjmë sakrifica të këtij kalibri, kaq të mëdha. Sot, shqiptarët s’i ndalon askush që të bëjnë punë e vepra konkrete, të modernizojnë shtetet e tyre”, theksoi Veliaj.
Ai shtoi se me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës, “duam në fakt t’i shprehim atij mirënjohjen dhe adhurimin më të thellë të çdo qytetari të kryeqytetit të Shqipërisë, për gjithçka ka bërë dhe gjithçka ka sakrifikuar për çështjen shqiptare”.
Nga ana e tij, Adem Demaçi falënderoi Tiranën për këtë vlerësim, duke theksuar se ka qenë një dëshirë e tij e përhershme që të gjithë shqiptarët të festonin të lirë pavarësinë e tyre. “Ju falënderoj juve, vëllezërit e pavarshëm të Shqipërisë, të cilën e kemi dashur të gjithë, se jemi edhe ne njësoj si ata. Prandaj, dhe kënaqësia është shumë e madhe, dëshira juaj ka qenë shumë e madhe për ne, e fortë. Kemi dëshiruar që të vijmë gjithmonë, e të jemi gjithmonë këtu me ju. Ne mendojmë se nuk jemi vetëm Shqipëri dhe shqiptarë, por dëshirojmë që të jemi edhe më të plotë. Prandaj, e duam vendin tonë këtu, që të mos ta harrojmë kurrë dhe të jemi aty ku kemi lindur”, tha Adem Demaçi. /Lajmi.net/