Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në konferencën e sotme pas nënshkrimit të marrëveshjes me LDK’në, ka treguar procedurën për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.
Kurti tha se VV’ja do ta propozojë zyrtarin e LDK’së për kryeparlamentar.
“Jemi dakorduar që kryetarin e Kuvendit e propozon LVV’ja nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe në këtë mënyre ecim përpara”, tha Kurti.
Ndërkaq Kurti foli edhe për numrin e ministrive dhe zëvendësministrave.
“Jemi dakorduar që t’i kemi 15 ministri, 33 zëvendësministra. Kjo tregon që qeveria e re, ende pa ia nisur punës, po e bën një ndryshim të madh. Nëse nuk do ta rrisnim numrin e ministrive, do të zvarritej edhe një vit reduktimi në 12 ministri”, tha Kurti.
Kujtojmë se emri që është përmendur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për Kryetare të Kuvendit është Vjosa Osmani.
Ndërkohë, marrëveshja është arritur 119 ditë prej kur u mbajtën zgjedhjet dhe Vetëvendosje doli fituese. Më shumë se një muaj kanë kaluar prej se është votuar Kryetari i Kuvendit dhe është hapur mundësia e votimit për Qeverinë e Kosovës.
Dy liderët e partive, VV-së dhe LDK-së kishin ndërprerë takimet për më shumë se një javë dhe komunikimin e vetëm publik e kanë bërë me shkëmbimin e dy letrave të cilat përmbajnë ofertat e njëra tjetrës se si të formohet qeveria.
Deri më tash VV dhe LDK kishin dështuar ta arrijnë marrëveshje shkaku i mospajtimeve për të ndarë pozitat shtetërore. Në fund ishin bllokuar te pozita e Kryetarit të Kuvendit që e ka marrë Vetëvendosje në seancën e 26 dhjetorit.
Albin Kurti dhe Isa Mustafa ishin takuar një ditë pasi kishin përfunduar zgjedhjet e 6 tetorit. Kishin thënë se koalicioni do të arrihej më së largu 72 orë pasi të certifikoheshin zgjedhjet. Kur më 26 dhjetor është votuar Kryetari i Parlamentit, Vetëvendosje po refuzonte të kthehet prapa dhe të shkarkojë ose detyrojë të japë dorëheqje njeriun që i kishte qëndruar Kurtit afër edhe kur pjesa më e madhe e njerëzve të partisë ia kthyen shpinën.
Kurti ka thënë se Glauk Konjufca s’është Kadri Veseli për ta shkarkuar kur dy liderë partish merren vesh. Madje, kishte thënë se s’janë monarkë për të luajtur me njerëz nëpër pozita shtetërore./GazetaExpress