Siç duket në Maqedoni ka filluar fushata parazgjedhore si dhe akuzat e ndërsjella mes kryesuesve të partive të këtushme shqiptare. Këtë e dëshmon edhe një koment i shkrimtarit Kim Mehmeti, e që ka të bëjë me kryetarin e Rilindjes Demokratike Kombëtare, Vesel Mehmeti i cili publikisht i ka falënderuar Menduh Thaçin dhe Bilall Kasamin për angazhimin e tyre në shpalosjen e rolit ‘destruktiv’ të drejtuesit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe kryetarit të partisë ‘Alternativa’, Afrim Gashi.
Sipas Kim Mehmetit, deklarata e këtilla vetëm e shpërfaqin ‘gomarizmin’ e politikave të shqiptarëve të Maqedonisë. Sipas tij, për ta eliminuar kundërshtarin e vet politik, ata i përdorin të njëjtat metoda si edhe qarqet policore maqedonase dhe dikur Millosheviqi, të cilët sa herë që donin ta eliminon ndonjë kundërshtar të vetin shqiptar, e akuzonin se u shërben qarqeve ‘te rrezikshme lindore’.
Kim Mehmeti pohon se shumica e politikanëve të shqiptarëve të Maqedonisë kanë nxjerr në shitje shqiptari e fe, dhe e vetmja që nuk shesin e për çka ia nxjerrin sytë njëri tjetrit është kolltuku i vasalit në qeveritë maqedonase. Më poshtë ua sjellim komentin e plotë të shkrimtarit Kim Mehmtit, të publikuar në faqen e tij të FB:
“Dëgjova se kryetari i partisë me një autobus anëtarësh – ai i RDK’së, e paska falënderuar ‘kufomën’ politike – drejtuesin e PDSH’së, si dhe shefin e ‘klanit të Llërcës’ që fshihet pas vulave të Lëvizjes ‘Besa’, për meritat që kanë në zbulimin e destruktivitet të liderit të ASH’së dhe të ‘vëllazërisë proturke të unazave’ që e kontrolluaka partinë Alternativa?! Nuk e di pse nuk e ka vazhduar më tej dhe t’i falënderojë edhe qarqet policore maqedonase si dhe Millosheviqin, të cilët ndër të parët e kanë zbuluar rrezikun që i kanoset Ballkanit nga shqiptarët mysliman dhe të cilët, sa herë që nuk kishin si t’i heshtnin shqiptarët e këtushëm, atyre ua ‘zbulonin’ lidhjet me qarqet e rrezikshme ‘lindore’. Sa për rikujtim: ‘falënderuesi’ i sotëm i këtyre ‘patriotëve’ tanë, është luftëtari i epur i deridjeshëm në betejën për shkatërrimin e PDSH’së si dhe, ai që dikur e shpaloste financimin e dyshimtë edhe të pjesëtarëve të sotëm të ‘Klanit të Llërcës”. E tani ecë e merre vesh se cili është patriot, e cili tradhtarë? Por që nuk do të thotë se nuk njihet raca e politikanëve, si kjo e falënderuesi të sotëm, që e ‘gomarizoi’ politikën e shqiptarëve të Maqedonisë. Pra, dihet qartë cilët janë ‘gomarët’ tanë politik që nxorën në shitje shqiptari e fe, dhe të cilët të vetmen që nuk e shesin e për çka ia nxjerrin sytë njëri tjetrit, është kolltuku i butë i vasalit në qeveritë maqedonase. Upsë, për pak të harroja ta pranoj publikisht se financues i veprimtarisë sime ‘armiqësore’ është edhe botuesi i romaneve të mi në gjuhën turke në Stamboll!” , shkruan Kim Mehmeti.