Dyshime për përgatitjen e marrëveshjes finale

Ka kaluar një muaj i plotë nga formimi i Qeverisë së Kosovës, por presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti nuk kanë arritur t’i harmonizojnë qëndrimet rreth dialogut. Ndasia e dy liderëve shtetërorë po vazhdon të jetë evidente, pavarësisht faktit që ndërkombëtarët po kërkojnë aktivizimin e negociatave. Këtë e dëshmon edhe takimi i paparalajmëruar i Thaçit me presidentin serb, rreth të cilit Qeveria nuk u informua fare, shkruan Zëri.

Derisa ka folur rreth zhvillimeve të fundit rreth dialogut Kosovë – Serbi, njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj nuk ka përjashtuar mundësinë që presidenti Thaçi në një moment të caktuar ta prezantojë para Kuvendit një lloj kornize të parimeve për marrëveshjen finale. “Është jashtëzakonisht problematike nëse përnjëmend ekziston një kornizë-marrëveshje, e cila mund të sillet në Kuvend dhe të refuzohet nga pala kosovare, për shkak se kjo do të ishte pastaj një gabim dhe një humbje për Kosovën, në kuptimin që nuk ka ndodhur të refuzohen propozimet që kanë ardhur nga SHBA-ja”, ka deklaruar ai për gazetën.

Edhe analisti politik Armend Muja ka konsideruar se propozimi për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në përgatitje e sipër. “Propozimi për marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duket se është në përpunim e sipër. Plani në tërësi mund të paraqitet në formë të një propozimi të shkruar nga administrata ‘Trump’ gjatë këtij viti në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e Kosovës dhe të Serbisë”, është shprehur Muja.

Por se çka do të përmbajë saktësisht kjo marrëveshje ende nuk është bërë e ditur. Sidoqoftë, presidenti Thaçi qysh pas fillimit të fazës finale të dialogut pati nisur ta proklamonte idenë e korrigjimit të kufirit Kosovë – Serbi. Nga zyra e presidentit nuk kanë treguar nëse kreu i shtetit do të vazhdojë të insistojë në proklamimin e këtij opsioni. Por Imer Mushkolaj ka thënë se nuk pret që mes Kosovës e Serbisë të diskutohet më këmbimi i territoreve. Sipas tij, tash e tutje mund të diskutohen aranzhmane të tjera për serbët në Kosovë, siç mund të jetë krijimi i Asociacionit dhe krijimi i ndonjë komune të re. “Nëse je futur në dialog dhe në njëfarë forme e ke hapur statusin e ardhshëm të Kosovës, atëherë është e pritshme që të bësh kompromis, kompromisi nënkupton të drejta të plota për serbët në Kosovë, që nënkupton mbase një lloj autonomie, e cila mund të mos quhet kështu, por mund të ketë kompetenca të autonomisë”, ka theksuar ai.

LVV-ja dhe LDK-ja, si dy parti qeverisëse, pareshtur kanë pohuar se Thaçi nuk do t’i drejtojë bisedimet me Serbinë pas ardhjes së qeverisë së re. Por duke u nisur prej krejt zhvillimeve, Mushkolaj është shprehur skeptik nëse Kurti do të mundë ta ndalojë Thaçin që t’i prijë procesit të dialogut. “Presidenti Thaçi i ka përgjegjësitë e veta kushtetuese. Edhe Kurti natyrisht i ka përgjegjësitë e veta si kryeministër. Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar një gjë të tillë, por në anën tjetër në Uashington po ftohet presidenti i vendit dhe nëse ftohet presidenti i vendit Albin Kurti nuk do të mundë ta ndalë, siç nuk ka mundur ta ndalë as Ramush Haradinaj”, është shprehur ai.

Si përfundim, Mushkolaj ka konsideruar se rreth temës së dialogut Kosovë – Serbi gjithçka po zhvillohet në jotransparencë të plotë dhe në inate politike. “Për fat të keq, Kosova nuk po funksionon si shtet në raport me përfaqësimin ndërkombëtar, por po funksionon e fragmentarizuar”, ka potencuar ai.

Më 2011-n Kosova dhe Serbia patën nisur bisedimet në kuadër të nivelit teknik, ndërkaq vetëm pas një viti (2012), krahas dialogut teknik, pati filluar edhe ai politik mes të dyja shteteve. Ndërkohë, tek pas gjashtë vjetësh (2018) të dyja palët startuan edhe me fazën finale të këtij procesi, fazë kjo e cila ende nuk ka marrë një epilog.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme