Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që me çdo kusht të hiqet taksa ndaj mallrave serbe.
Gazeta Blic nga burime brenda LDK-së ka marrë vesh se propozimi i kryeministrit të vendit Albin Kurti që të hiqet taksa pjesërisht nuk do të kalojë në qeveri.
“Nëse kryeministri i vendit, Albin Kurti do ta sjellë si propozim për votim në qeveri vendimin për heqjen e pjesërishme të taksës nuk do të votohet nga ministrat e LDK-së”, tha një zyrtar i LDK-së në kushte anonimiteti
Ndërkaq, zyrtarisht askush nga LDK nuk ka dashur të flas për këtë çështje, se si do të veprojnë anëtarët e kabinetit qeveritar në raport me këtë propozim të Kurtit.
Gazeta Blic merr vesh se edhe dy anëtarët e kabinetit qeveritar nga Lista Serbe nuk do ta votojnë propozimin e kryeministrit Kurti që të hiqet pjesërisht taksa.
Dhe burimet nga LDK konsiderojnë se ky propozim i Kurtit nuk do të kalojë në qeveri, ngase do të ketë mbivotim të propozimit.
“7 votat e LDK-së kundër, dhe dy tjera nga Lista Serbe kundër, do ta rrëzojnë propozimin e Kurtit në Qeveri, për faktin se ai i ka vetëm 8 vota, të pamjaftueshme për të vendosur pa pajtimin e partnerëve të koalicionit”, thonë këto burime të Gazeta Blic.
Nga LDK thonë se qëndrimi i tyre për taksën është kërkesë e miqëve të Kosovës, sidomos nga SHBA. Kësisoj, LDK nuk dëshiron t’i prish marrëshëniet me SHBA-në.
Njëherë heqja e taksës, e pastaj reciprociteti
Albin Kurti ka paralajmëruar heqjen e taksës në mënyrë të pjesërishme.
Ai ka treguar se më datë 15 mars fillimisht do ta heq taksën ndaj lëndës së parë që vije nga Serbia, e për ta hequr të plotë nga 1 prilli. Për heqjen e plotë, ai kishte deklaruar se Serbia i ka 2 javë afat, që të “reflektojë”, në raport me Kosovën.
Shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ndonëse kishte premtuar publikisht se do ta vendos fillimisht reciprocitetin, e pastaj do ta heq taksën, ai tashmë reciprocitetin e ka në plan ta vendos pas heqjes së taksës, dhe varësisht nga “sjellja” e Serbisë.
Mirëpo, LDK e drejtuar nga Isa Mustafa është kategorik kundër këtij propozimi të Kurtit.
Përpos që LDK po kërkon heqjen e menjëhershme të taksës, ajo është kundër vendosjes së masës së recioprocitetit.
LDK madje, ka paralajmëruar se do të largohet edhe nga Qeveria, nëse Albin Kurti nuk e heq taksën gjatë kësaj jave, ashtu siç po kërkon emisari special i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë- Serbi, Grenell.
Burime të Gazetës Blic brenda LDK-së, kanë bërë të ditur se Kryesia e kësaj partie, ka marrë vendim që sonte në mbrëmje të dalim me qëndrim dhe t’ia bëjnë të qartë kryeministrit Albin Kurti, se i ka dy rrugë: ose të hiqet taksa siç po kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose LDK do të dalë nga qeveria.
“Sonte dalim me qëndrim përfundimtar. Do t’i bëhet e qartë edhe zotërit Kurti, se nuk mund të vazhdohet kështu. Presioni amerikan është në pikën më të lartë që ka qenë ndonjëherë. Lidhja Demokratike e Kosovës, ia ka bërë të qartë vazhdimisht të gjithëve, që raportet me Amerikën nuk guxon të na i rrezikojë asnjë person, kushdo qoftë ai. Do të kërkojmë përfundimisht që të dëgjohet thirrja amerikane për heqjen e taksës, ose LDK nuk do të jetë më pjesë e qeverisë”, i ka thënë ky burim Gazetës Blic.
Tutje, thuhet që zyrtarët e LDK-së në takimet private i kanë treguar kryeministrit Kurti, se nuk mund ta presin pafundësisht në marrjen e këtij vendimi.
Madje, ata i kanë thënë Kurtit se për LDK-në, mosdëgjueshmëria ndaj kërkesës së SHBA-së, do të pasojë me largimin nga Qeveria Kurti.
Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti edhe sot ka kërkuar që të hiqet menjëherë taksa ndaj mallrave serbe.
Ai ka shkruar në Facebook se kjo taksë është një kauzë pseudopolitike.
Shënimi i plotë i tij:
Angazhimi i Serbisë për defaktorizimin e subjektivitetit të Kosovës është sistematik, që tregon se ajo është kundër marrëveshjes për normalizim. Kjo nuk është gjë e re.
I ri është konteksti politik në Kosovës, ku institucione e reja që kanë legjitimitet të plotë qytetarë tani marrin përsipër agjendën e dialogut dhe politikës së jashtme.
Është e qartë se kjo agjendë e qeverisë së re mund të ketë sukses vetëm në koordinim SHBA dhe BE.
Paralizimi eventual i institucioneve të reja të Kosovës karshi këtyre temave për shkak të kauzave pseudopolitike, siç është tarifa, na shpie në getoizim.
Ne nuk do të lejojmë getoizimin e Kosovës, sepse kjo i lë hapësirë Serbisë të dëmtojë pozitën tonë ndërkombëtare.
Se LDK është duke e shqyrtuar seriozisht largimin nga qeveria, nëse Kurti nuk ndryshon qëndrim, e kanë thënë kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa dhe zv.kryeministri i parë, Avdullah Hoti.
Të dielën, Isa Mustafa, përmes një statusi të gjatë, e bëri të qartë që LDK nuk mund të qëndrojë në Qeveri nëse do të ketë refuzim të kërkesës amerikane dhe rrezikim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Që nga fillimi jam shprehur haptas, ndoshta ndër të vetmit, se tarifa së pari 10 përqind e pastaj 100 përqind, e caktuar nga Qeveria Haradinaj, nuk kishte arsyetim ekonomik por ishte vënë për tu mbrojtur nga dështimet, sidomos në politikën e jashtme. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, i dha tarifës dimension të kushtëzimit të dialogut. Prandaj kur doli në pah mundësia e pazareve me territorin ndërmjet dy presidentëve, atij të Serbise dhe të Kosovës, tarifa rrëshqiti në levën e pengimit të këtij dialogu të dëmshëm. Atëherë e kam përkrahur ish Kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e tarifës.
Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të Komisionit Evropian dhe sidomos pas angazhimit shumë aktiv të SHBA-ve me përfaqësuesin special të Presidentit Trump, ambasadorin Grenell, tarifa objejtivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqendrueshme politike. Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës.
Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se SHBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës. Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do ti japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa. Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të. Nuk jam i sigurt që dikush nga grupet parlamentare ose deputetët e Kuvendit apo qeveritarët ta kenë gjetur një partner më të fortë, më meritor dhe më të përkushtuar sesa SHBA-të për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. E as një rrugë më me perspektivë se ajo e integrimit evropian dhe euroatlantik.
Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës. Në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, LDK mbetet e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria e akordon me SHBA-të dhe BE-në. IM”, ka shkruar të dielën Mustafa.