Zëri i Amerikës ka publikuar pamje nga Tirana, ku kryeqyteti shfaqet pothuajse bosh, pas masave të marra nga koronavirusi.
Në videon e mëposhtme numri i makinave që lëvizin është i paktë. Po kështu edhe këmbësorët që lëvizin në rrugë, janë të paktë në numër. Pamjet nga janë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aty ku në një ditë të zakonshme trafiku është i rënduar.
COVID-19 në Shqipëri ka infektuar 23 persona, ku një prej tyre ka gjetur vdekjen. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi dje viktimën e parë, që ishte pacientja e moshuar në Durrës.
Në Tiranë janë 16 pacientë, ndërkohë që harta e të prekurve është zgjeruar dhe në Lushnje, Elbasan dhe Rrogozhinë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë, ndërkohë ata që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndiejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në 127 dhe të mos shkojnë direkt në spitale, por të izolohen në banesat e tyre për 14 ditë.
Qeveria ka marrë një sërë masash shtrënguese kundër koronavirusit, duke mbyllur shkolla e universitetet, pube-t, palestrat dhe ka ndaluar të gjitha grumbullimet masive si konferenca, aktivitete sportive e kulturore.