Tërheqja e Contour Global nga Kosova e Re, reagon Haradinaj

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar pasi kompania Contour Global ka thënë se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavatë, raporton Express.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se fajin për dështimin e këtij projekti e ka “qeveria e mashtrimit”, duke aluduar kështu për Qeverinë Kurti.

“Tash investitori Contour Global tërhiqet nga investimi në energji. Kosova e Re ka qenë projekti dhe investimi më i madh direkt në Kosovë, me 1.3 miliardë Euro! Ky projekt është bazuar në njërën prej pasurive kryesore të vendit tonë, rezervat e pesta të thëngjillit në botë, dhe do të zgjidhte problemin me furnizim stabil të energjisë në Kosovë. Për më shumë, ky projekt do të hapte 20 mijë vende të punës dhe do ta bënte Kosovën lider të energjisë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, dështimi i ndërtimit të Kosovës së Re dërgon mesazhe negative për investitorët amerikanë dhe me gjerë.

“Qeveria duhet të gjejë zgjidhje urgjente pas këtij dështimi. Secila zgjidhje që nuk ofron siguri të furnizimit dhe zvogëlon varshmërinë nga energjia e importuar, do të jetë më e shtrenjtë se Kosova e Re. Dështimi i ndërtimit të Kosovës së Re dërgon mesazhe negative për investitorët amerikanë dhe me gjerë”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, Kompania Contour Global ka thënë se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavatë.

Sipas një njoftimi të Contour Global, arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen.

Si arsye ka përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i Qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme