Analisti Fatos Lubonja mendon se njeriu ka nevojë të ngadalësojë. Referuar situatës aktuale në Shqipëri dhe në botë, dhe një videoje të bërë virale së fundmi në internet të quajtur “Letër nga koronavirusi”, Lubonja tha në “Real Story” në News24 se ajo çka na thotë kjo letër nga virusi, është: boll së menduari kështu sepse prej kësaj erdhët këtu.
Duke kujduar filozofin Hajdeger, Lubonja deklaron se ne na drejtojnë druvarët.
“Letër nga virusi e kanë quajtur këtë. Nuk është se është një pyetje që e ngremë sot për herë të parë që na ngacmon virusi. Virusi thotë ka ardhur fundi, ka ardhur momenti ndërkohë që njerëzit e mendjes, të shkencës i kanë ngritur këto probleme prej kohësh. Mjafton t’ju përmend Hajdegerin. E kam cituar në një shkrim kur ka tërmeti. Ai thotë një gjë që lidhet shumë me këtë. Në qoftë se shkojnë në një pyll, një druvar dhe një poet ata e shohin ndryshe pyllin. Druvari e sheh se sa drurë do presë për të bërë paratë, poeti e sheh se sa zogj ka për t’i kënduar pyllit. Ky është një problem që e ka ndjekur njeriun.
Ajo çka na thotë kjo letër nga virusi, thotë boll së menduari kështu sepse prej kësaj erdhët këtu. Thotë boll kërkoni të mendoni së imituari Zotin, jeni qenie si gjithë të tjerat. Hajdegeri në intervistën e fundit thotë vetëm një Zot mund të na shpëtojë nga kjo rendje. Jemi të pafuqishëm sepse na ka marrë, na sundon kjo mënyrë të menduari, për të rendur, për të kapur.
Lajmi ishte se a e dini ju që sipas studimeve ky virusi që po na vret kështu ka shpëtuar dhe shumë jetë njerëzore nga pakësimi i ndotjes”, tha Lubonja.
Ai shprehet skeptik për një reflektim si tek njerëzit e zakonshëm ashtu dhe tek pushtetarët për këtë situatë dhe ato që duan të arrijnë.
“Neve këtu na sundojnë druvarët. Ata që e shikojnë natyrën si pasuri për të ngrënë, gërryer, politika është në shërbim të tyre. Ka një simbiozë, dhe në botë është pak a shumë i njëjti model, i zbutur dhe me sistem imunitar shumë më të madh. Të shpresojmë që vërtetë kanë reflektuar, me skepticizëm të madh”, u shpreh Lubonja.
Analisti thotë se shoqëria sot ka të bëjë me një sistem vlerash që është stimuluar që na ka çuar drejt kësaj rendjes me njeri-tjetrin kush është më i pasur.
“Në rrugëtimin tim në jetë jam bërë mbështetës i Serge Latouche, mendimtar francez që është mbështetës i asaj i uljes së lumtur. Njeriu ka nevojë të ngadalësojë. Këtu kemi të bëjmë me një sistem vlerash që është stimuluar që na ka çuar drejt kësaj rendjes me njeri-tjetrin kush është më i pasur. Ajo që është pikëpyetja, ky sistem vlerash që kemi gjetur është një gjë natyrale apo mos na është krijuar. Mendoj se është një lavazh truri që na ka bërë konsumizmi”, deklaroi Lubonja.