Nju Jork Times: Diplomatët amerikanë kanë diskutuar shkëmbimin territoresh Kosovë – Serbi

Gazeta Nju Jork Times (NYT) ka pohuar se diplomatët amerikanë kanë diskutuar idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë e një marrëveshje mes tyre.

Një artikull i botuar të enjten me autor Patrick Kingsley—korrespodentin ndërkombëtar të NYT me bazë në Berlin—komenton zhvillimet politike që çuan në rrëzimin e qeverisë Kurti.

Sipas tij, shkaku i rrëzimit të qeverisë së Kosovës janë përplasjet mes Kurtit dhe kundërshtarët e tij politikë dhe administratën amerikane të cilat janë të thella.

Kinsly shprehet se shume kritike thonë se “diplomacia amerikane luajti rolin e saj në rrëzimin e qeverisë së sapoformuar: duke ushtruar presion ndaj qeverisë Kurti për të pranuar zgjidhjen që ofronte Amerika për konfliktin Kosovë-Serbi.”

Kingsley shprehet se vendimi për rrëzimin e Kurtit  “u duartrokit paraprakisht nga Shtetet e Bashkuara, diplomatët e të cilëve e kanë vendosur Kurtin nën presion të madh që kur qeveria e tij u betua, 50 ditë më parë, për shkak të kundërshtimit të Kurtit për arritjen e një marrëveshje paqeje në Ballkan siç do Amerika.”

Më tej ai shprehet për dënimin e mocionit kundër Kurtit nga Franca dhe Gjermania “të cilat në një deklaratë të përbashkët kritikuan në mënyrë të pamëshirshme rrëzimin e qeverisë gjatë një pandemie.”

Kinsley shprehet se megjithëse koronavirusi ishte një faktor për hartimin e mocionit nga LDK, debati mes Kurtit dhe LDK-së “u nxit nga një mosmarrëveshje shumë më e thellë: bisedimet për konfliktin Kosovë-Serbi. Përplasja ishte mes Kurtit, presidentit Thaçi… dhe administratës së Presidentit Trump.

Artikulli i Kingsley më tej sqaron:

“Para se Kurti të merrte kryeministrinë, administrata Trump u përpoq të mbyllte krizën e bisedimeve mes Kosovës e Serbisë duke ndërmjetësuar një marrëveshje midis Presidentit Thaçi dhe Presidentit serb Aleksandar Vucic.

Si hapi kryesor për të rikthyer palët në tryezën e bisedimeve, SHBA-të shtynë Kosovën të heqë tarifat 100 për qind ndaj produkteve serbe, si një gjest i vullnetit të mirë ndaj qeverisë serbe.

Duke shpresuar të arrijnë një marrëveshje të shpejtë, diplomatët amerikanë madje diskutuan dhe idenë dikur të pamendueshme për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë, duke alarmuar udhëheqësit evropianë që kishin frikë se kjo ide mund të rishfaqte konfliktin etnik në Ballkan.”

Me tej autori, shpjegon se pas ardhjes në pushtet nga frika se Thaçi kishte rënë dakord fshehurazi për ndarjen e një pjese të Kosovës, Kurti konfirmoi të drejtën kishtetuese për të udhëhequr negociatat në vend të Thaçit dhe, gjithashtu, vendosi t’i mbajë tarifat e pjesshme, si një mjet për të mbajtur presionin ndaj qeverisë së Serbisë.

Kingsley pohon se ky qëndrim i Kurtit e vendosi atë në konflikt të drejtpërdrejtë me Thaçi dhe Richard Grenellin, të dërguarin e presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi. Reagimi i administratës amerikane ishte i ashpër, Shtetet e Bashkuara ngrinë miliona dollarë ndihmë ndaj Kosovës.

Kingsley në fund të artikullit citon ish të dërguarin e posaçëm të BE-së në Kosovë Wolfgang Petritch që e komenton ndërhyrjen amerikane:

“Kjo është një lloj, si të them, diplomaci ‘Ramboje’. Si dëm kolateral, ata [amerikanët] do të largojnë një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike.”/exit.al/

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme