Kriza politike në pandemi: Të gjitha partitë duan qeveri të re, Vetëvendosje zgjedhje

Pas rrëzimit të qeverisë Kurti nga mocioni i mosbesimit i nisur nga LDK’ja, të gjitha partitë politike kanë shpehur qëndrimet e tyre për një qeveri të re pa shkuar në zgjedhje për shkak të situatës aktuale me covid-19, ndërsa vetëm Vetëvendosja po kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme, shkruan Gazeta Metro.


Kushtetuta e Kosovës parasheh që ‘nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë’.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se fokusi i tij do të jetë të shmanget mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe mosshpërndarja e Kuvendit të Kosovës.

Pas konsultimeve që Presidenti Thaçi pati me të gjitha partitë politike, të gjitha u pajtuan që Kosova duhet të ketë një qeveri të re dhe jo të shkojë në zgjedhje të reja, ashtu siç po kërkon Vetëvendosja që në zgjedhjet e fundit doli partia e parë.

Dy subjektet e mëdha politike, LDK dhe PDK  thanë se janë për krijimin e një qeverie të re.

Kreu i PDK’së, Kadri Veseli ka thënë se partia e tij kërkon që të mbrohet Kushtetuta dhe vullneti i qytetarëve, derisa janë për krijimin e një qeverie të re.

Sipas Veselit, është hipokrizi që në këtë kohë pandemie të flitet për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të rrezikohen qytetarët.

“Ajo të cilën e kërkojmë është të respektohet Kushtetuta dhe të mbrohet vullneti i qytetarëve. Të kihet parasysh pandemia, nuk e dijmë kur do të përfundojë kjo çështje, është hipokrizi të flitet për zgjedhje të jashtëzakonshme që të rrezikohen qytetarët”, ka thënë ai.

Edhe kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, ka thënë se në takimin me presidentin e Kosovës kanë diskutuar për daljen nga kjo situatë pas mocionit të votëbesimit ndaj qeverisë Kurti. Mustafa ka thënë se partia e tij vlerëson se nuk është koha të shkohet në zgjedhje.

“Ne si LDK vlerësojmë që nuk është koha të shkohet në zgjedhje të përgjithshme, për të situatës me pandeminë e koronavirust. Jemi të bindur që edhe zgjedhjet në këtë periudhë nuk do na sjellin në situatë tjetër jashtë asaj që sot jemi, duke marrë parasysh vullnetin politik të subjekteve politike të cilat hyjnë dhe dalin në zgjedhje”, është shpehur Mustafa.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij është për krijimin e një qeverie të re.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mendon se më sigurt për Kosovën është me pas një qeveri të votuar në parlament së shpejti, pra kur do që është e mundshme se sa të vazhdohet me gjendjen me një qeveri të shkarkume prej parlamentit”, tha Haradinaj.

Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se Kushtetuta e Kosovës ka qartësi të plotë për t’i dhënë zgjidhje vendit.

“Nisma beson se presidenti duke respektuar Kushtetutën duhet kujdesshëm të shikoj mundësinë që të shmangë zgjedhjet e parakohshme. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta lexojmë, ta interpretojmë dhe ta ruajmë Kushtetutën dhe frymën e saj, ta ruajmë shtetin tonë parlamentar dhe ai ruhet kur në epiqendër të këtij shteti është Parlamenti i Kosovës”, tha Limaj.

Edhe subjektet politike të pakicave të cilat kanë vende të garantara në Kuvend u shprehen kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke kërkuar formimin e një qeverie të re gjithëpërfshirëse.

Ndërsa, Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka përjashtuar mundësinë që të nisin konsultimet për qeverinë e re, duke kërkuar që qeveria e tij të vazhdojë punën deri në përmbylljen e fazës së pandemisë së shpallur pas përhapjes së koronavirusit të ri.

Kurti, thotë se zgjedhjet në Kosovë janë shumë të nevojshme.

“Ne jemi për zgjedhje të reja parlamentare dhe sa më parë të ndodhin ato”, u shpreh ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme