Nga Kim Mehmeti
Siç duket, një ndër arsyet pse Kosova e vogël nuk e shijoi lirinë ashtu siç duhet dhe, pse aq shumë u varfërua, është se ajo ushqen e mbanë mbi shpinë shumë zhvatës, idiotë e mjeranë politikë!
Pra shkak pse Kosova ende nuk ia del të vetë mirëmbahet si shtet është se ajo lindi e rriti trima për të cilët ia ka zili bota, por atë sot e kanë marr peng mjeranë politikë, shkaku i të cilëve e tallë gjithë dynjaja!
Dhe duke qenë e tillë, asaj i ndodhë, për shembull që – për dallim nga izraelitët, që edhe pas tetë dekadave që ka përfunduar Lufta e Dytë Botërore, ata vazhdojnë t’i kërkojnë e t’i dënojnë të gjithë nazistët që kanë vrarë hebrenj – mjeranët mediatik e politikë të Kosovës thonë se 20 vite pasi përfundimit të luftës, është e pakuptimtë të kërkosh të dënohen vrasësit serb të shqiptarëve?! Dhe paralajmërojnë amnisti për gjitha ‘palët’, duke i barazuar kështu luftëtarët për liri të UÇK-së me vrasësit e okupatorit serb?!
Pra duke qenë e tillë, Kosovës edhe i ndodhë që të ketë President njeriun që në kohë pandemia, pra në kohë kur populli nuk mundë të reagojë e të protestojë, kur populli është i mbyllur në ‘burg shtëpiak’, ai të ngutet ta rrëzojë qeverinë e shpresës rinore dhe në vend të sajë të sjellë në pushtet zhvatësit e dalë nga ‘Strofulli i Gjarprit! Me çka – jo për nga përmbajtja, por për nga forma – s’ka si mos të ta rikujtojë kohën kur shqiptarët e Kosovës i numëronin viktimat, e Millosheviqi e kremtonte ardhjen në pushtet të ‘Morinave” të tij!
Dhe siç duket, Kosova e sotme nuk ka ndryshuar shumë nga ajo e dikurshmja, kur trimat dhe njerëzit e dinjitetshëm e të vlefshëm të asaj më mirë i njihte armiku se sa ajo vetë, me çka edhe ia vriste dhe ia likuidonte me kohë!
Kështu bëri me të edhe Millosheviqi që vrau Adem Jasharin me gjithë familjarët e vet, që burgosi dhe e zhduki simbolin e diturisë dhe intelektualizmit shqiptarë Ukshin Hotin, që nga gjithë figurat politike likuidoi trurin dhe strategun e LDK-së, Fehmi Aganin, që vrau mbrojtësin më të mirë të të drejtave kolektive shqiptare, avokatin Bajrami Kelmendin me dy djemtë e tij…..
Dhe jo se Millosheviqi nuk e dinte se me këtë shqiptarinë nuk e lë pa individët trima e të vlefshëm, por ai dinte diçka më shumë se kaq: kur një populli ia zhdukë simbolet e trimërisë, të qëndresës dhe të mençurisë kolektive, atëherë krijon parakushte që atij populli t’‘i shtohen e t’i fuqizohen injorantët, mjeranët dhe hajdutët politik!
Siç duket ka ardhur koha kur Kosova duhet të dëshmojë se tani më ajo i njeh vlerat e veta njerëzore më mirë se armiqtë e saj dhe se është e aftë që ata t’i mbrojë nga mjeranët politikë e mediatik. Dhe këtë do e dëshmojë nëpërmjet abortimit të qeveritarëve që duan të vijnë në pushtet përderisa populli është në ‘burg shtëpiak’!