Mbi 3 300 persona kanë firmosur një peticion online që i drejtohet Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ku si kërkesë ka hapjen e dyerve të xhamive për besimtarët dhe qytetarët. Aktivitetet me natyrë tubuese në xhamitë e vendit janë pezulluar që prej 22 prillit me vendim të këtij komuniteti. Kërkesa vjen në një kohë kur besimtarët e komunitetit myslimanë janë në muajin e Ramazanit
Në peticion thuhet se, në një kohë kur gjatë dy javëve të ardhshme qeveria parashikon hapjen e pothuajse të gjitha aktiviteteve ekonomike e shoqërore, përfshirë edhe ato që deri para pak ditësh konsideroheshin me rrezikshmëri të lartë, duhet të merret në konsideratë dhe hapja e xhamive.
“Ndërkohë që bashkësitë fetare në vendin më të madh të Evropës kanë detyruar qeverinë federale të ulet në bisedime për të përcaktuar rregullat për hapjen e objekteve të kultit, është e papranueshme që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH), i cili i ka mbyllur me vendimin e tij të pavarur xhamitë në të gjithë vendin, të mos i hapë dyert e tyre”, thuhet në peticion.
“Takimi i para pak ditëve i Ipeshkvijve të Kishës Katolike për rifillimin e veprimtarive fetare në Kishën Katolike, ku u morën në shqyrtim mundësitë e krijuara nga hapat e ndërmarra nga organet kompetente dhe u vendos për një veprim gradual duke respektuar të gjithë hapat e nevojshëm, si dhe në respektim të rregullave të vendosura për distancimin fizik, është dëshmi se kur ekziston vullneti i sinqertë për hapjen e shtëpive të Zotit heshtja dhe mosveprimi nuk kanë vend” shton më tej peticioni.