Që një javë asnjë i infektuar me koronavirus, Aliu tregon se si është gjendja në Ferizaj

Ferizaj është komuna me më së shumti  të prekur me koronavirus në Kosovë.

Në tërë Kosovën deri më tani janë 851 persona të infektuar me koronavirus ku në mesin e tyre janë edhe 98 qytetarë nga Ferizaj, kështu duke e bërë Ferizajn komunën me më së shumti  të prekur me COVID-19.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu, në një prononcim për lajmi.net ka bërë të ditur se ka që një javë që nuk është regjistruar asnjë rast i ri me koronavirus në këtë qytet.

Sipas tij, deri më tani janë 62 persona të shëruar dhe arsyeja përse nuk ka pasur raste të reja është se janë bërë ri-testime dhe pacientët kanë rezultuar negativë.

“Ka pasur edhe teste edhe ri-testime dhe të gjitha kanë rezultuar negativë. Normalisht se numri është më i vogël i testeve krahasuar me kohën kur kemi pasur raste më shumë, por kryesore ka pasur edhe teste edhe ri-testime, por ka kaluar tashmë një javë që nuk e kemi pasur asnjë rast pozitiv me COVID-19. Po ashtu kemi pasur edhe raste të të shëruarve ku tashmë i kemi të konfirmuar 62 persona të shëruar dhe sot presim që të shtohet ky numër i të shëruarve dhe ditëve në vijim presim që numri i të shëruarve të shtohet për shkak se tashmë e kanë kaluar atë 14 ditëshin që është i nevojshëm që me e kalua në vetizolim edhe me i bërë më pas testet e para e më pas testet e dyta që pastaj që me u konstatua që janë shëruar. Përgjithësisht gjendja vazhdon të jetë më e qetë si në gjithë Republikën e Kosovës ashtu edhe në Ferizaj dhe dashtë zoti që edhe kështu të përmbyllet”, ka treguar Aliu për lajmi.net.

Tutje ai ka thënë se pothuajse të gjithë të infektuar kanë qenë nga i njëjti burim, pra nga punëtori i ndjerë i Kampit “Bondsteel”, por që sipas tij, falë masave që kanë ndërmarrë udhëheqësit e këtij kampi ka bërë që të mos jetë numri i të infektuarve edhe më i madh.

“Ashtu siç ju kam njoftuar kanë qenë të gjithë pothuajse në një burim pacientët pozitivë me COVID-19 në komunën e Ferizajt dhe mirë që edhe kampi “Bondsteel”, ka qenë mbështetës duke marrë masat e izolimit me kohë dhe për këtë i jemi falënderues si shtab emergjent edhe si komunë e Ferizajt sepse ka ndikuar dukshëm në mos përhapjen e masës së të infektuarve sepse ka ndalur stafin  punëtorëve vetëm për nivel esencial të shërbimeve ndërsa pjesa tjetër e stafit janë në shtëpi dhe nuk kanë shkuar më në punë. Edhe ata që janë në “Bondsteel”, nuk dalin nga aty do me thënë që pothuajse 10 ditë janë duke qëndruar vetëm aty do me thënë në një lloj karantine brenda “Bondsteel”-it ku nuk komunikojnë fare me qytetin dhe familjarët e tyre”, tregoi Aliu.

I pari i Ferizajt ka treguar për lajmi.net, se aktualisht në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës janë duke u trajtuar tre pacientë të kësaj komune të cilët janë të prekur me koronavirus.

Bëhet fjalë për tre persona të së njëjtës familje mirëpo, Aliu thotë se gjendja e këtyre treve dhe e të gjithë të prekurve të tjerë është e mirë dhe se janë duke vazhduar ri-testimet për të gjithë të prekurit.

“Janë tre persona të së njëjtës familje që janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Janë dy të moshuar dhe është mbesa e tyre, ajo mbesa tash do ta bëj përsëri ri-testimin e ka bërë një herë por ka rezultuar pozitive dhe presim që brenda këtyre ditëve të bëj përsëri ri-testimet edhe të konstatohet si e shëruar. Në përgjithësi në vazhdimësi gjendja e të gjithë të infektuarve ka qenë e mirë në bazë të raporteve të institucioneve shëndetësore. Për atë arsye tash testet që po bëhen pra ri-testimet të gjitha janë duke dalë negative dhe tashmë janë duke hyrë në listën e të shëruarve si pacientë”, theksoi Aliu.

Deri më tani në bazë të të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, në tërë vendin janë 851 të persona të infektuar me koronavirus, 381 të shëruar dhe 25 të vdekur.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme