Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri i ftuar në emisionin Frontal në T7 ka folur edhe për zhvillimet politike në vend, me theks të veçantë raportimet për përçarje brenda Lidhjes Demokratike, për shkak të ndarjes së dikastereve, raporton Gazeta Express.
Haziri thotë se në mbledhjen e fundit të LDK’së nuk është folur për ndarje të ministrive.
“Unë ju siguroj edhe në këtë debat që kryesia e LDK’së në dy takime që ka pas të premten të ndara asnjë emër nuk është përmend për qeveri, kemi bisedu për zhvillime politike që lidhen me situatën pas mocionit të mosbesimit. Kemi bisedu në parim që qeveria të vazhdojë në kontiunitet. Ministrat e LDK’së me dhanë maksimumin e tyre, në parim ministrat nuk e kemi ndermen me i ndryshu a me i largu, përveç në vlerësime të brendshme në debate të brendshme arrijmë në debat ndryshe. Andaj s’ka pas kurrfarë pakënaqësie”, ka thënë ai.
Haziri është pyetur edhe për lajmet se Lumir Abdixhiku nuk ka pranuar që të jetë ministër në qeverinë e re.
“Unë e di saktë çfarë kërkon edhe çfarë statusi është Lumir Abdixhiku, kërkesa e tij ka qenë që bashkimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit të ruhet, po tashmë ka ndodhë një ndryshim, deri atëherë Abdixhiku do të vazhdojë me udhëheq këtë ministri të madhe”, tha ai, duke shtuar se për mendimin e tij ka ministra që s’kanë punuar mirë.
“Për mendimin tim ka po nuk është koha me folë tash, por ka edhe ministra që kanë punu jashtëzakonisht shumë, po në përgjithësi si ekip i LDK’së është i jashtëzakonshëm. Kanë ndihmu që qeveria ti ketë këto pak rezultate”, ka shtuar Haziri.
Tutje, nënkryetari i LDK’së, tha se mungesa e kryeparlamentares Vjosa Osmani në mbledhje të partisë ndihet politikisht.
“Natyrisht një emër dhe një autoritet si Vjosa kur mungon në mbledhje ndihet politikisht, është mbi të gjitha partitë politike.
Vazhdon me qenë nënkryetare e LDK’së dhe do të bashkëngjitet në procese shumë shpejtë”, ka shtuar ai.