Një 42 vjeçar nga fshati Gllanicë e komunës së Lipjanit, është vrarë në mëngjesin e sotëm afër Graçanicës.
Policia e Kosovës në Lipjan ka arrestuar dy persona nga fshati Dobrajë e Madhe të Lipjanit, të cilët dyshohet se e kanë kryer këtë vepër. Policia ka gjetur edhe armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra.
Burime brenda Policisë në Lipjan, kanë thënë për KOHËN se personat kishin mosmarrëveshje për shkak të udhëtimit.
Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës, ka thënë për KOHË se, rreth orës 07:30, policia ka marrë informacionin për një plagosje me arme zjarri në rrugën Prishtinë -Ferizaj.
“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, ka thënë Ahmeti. Sipas saj, me të dalë në vendin e ngjarjes, Policia ka konstatuar se ka të bëjë me plagosje nga arma e zjarrit, është plagosur viktima: “A.S, mashkull , shtetas i Republikës se Kosovës, i cili duke mos mundur t’u përballoj plagëve të mara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Lidhur me këtë ngjarje, Policia ka arrestuar dy persona të dyshuar dhe ka konfiskuar një armë që dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, ka thënë Ahmeti. Sipas saj, hetuesit policorë, janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili nga ana e Prokurorit të shtetit është cilësuar si vrasje e rëndë.