Pas deklaratës së Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu se asnjë zjarr nuk kishte rënë tek Ministria e Shëndetësisë ka reaguar sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Në një postim në facebook, Bardhi thotë se Manastirliu gënjeu kur tha se nuk kishte rënë asnjë zjarr dhe paralajmëroi se provat do të publikohen ditën e nesërme.
“Fakti që Ministrja gënjen për zjarrin duhet të bëhet pjesë e hetimit jo vetëm për vjedhjen, por edhe manipulimin e dokumentave përmes djegies”, thekson Bardhi.
Reagimi i plotë:
Fronti i vjedhjes me tendera sekret vazhdon avazin e gënjeshtrës! Asgjë e re nga bashkëpunëtorja e Edi Ramës në vjedhje dhe në fshehjen e vjedhjes së parave të shqiptarëve me tendera sekret në kohë pandemie.
Ogerta Manastirliu gënjen paturpësisht për zjarrin e rënë në Ministrinë e Shëndetësisë. Ne kemi prova për këtë skandal dhe do t’i bëjmë publike nesër.
Fakti që Ministrja gënjen për zjarrin duhet të bëhet pjesë e hetimit jo vetëm për vjedhjen, por edhe manipulimin e dokumentave përmes djegies. Ajo gabon rëndë që mendon se duke i zhdukur provat do të shpëtojë nga burgu.
Ogerta Manastirliu boll nxorre tym nga koka dhe gënjeshtra nga goja. E kuptojmë që ky skandal të djeg shumë. Ky është zjarr që të çon në burg dhe nuk e shuan dot me ujë!