Dita e Europës nxori edhe njëherë në pah fytyrën e vërtetë të qeverisjes së Edi Rama.
Duhej të ishte dita kur promovohen vlerat dhe liritë njerëzore, por kjo ditë tregoi se pse ditët e Edi Ramës në pushtet janë të numëruara.
Një grup aktivistësh u mblodhën në sheshin Skënderbej për të protestuar siç bëjnë kudo në vendet e qytetëruara, siç bënë fjala bie edhe sllovenët. Protestonin kundër masave të izolimit që po prodhojnë autokraci dhe varfëri masive.
Edhe pse njerëzit po dhunoheshin, Rama u shfaq më vonë në një konferencë për mediat për Ditën e Europës dhe u premtoi shqiptarëve se shumë shpejt do legalizonte kanabisin me ‘bekimin’ e Europës.
Për fat, delegacioni i BE reagoi shpejt dhe mohoi zërat se kanë dhënë bekimin për kanabizimin e vendit. Të paktën nuk mbyllën sytë si në vitin 2016, tani kur opozita dhe media po denoncojnë se mbjellja e drogës ka nisur masivisht në prag të vitit zgjedhor.
BE reagoi për kanabisin, por akoma nuk ka reaguar për një tjetër shkatërrim që i kanoset vendit dhe vlerave. Fjala është për Teatrin Kombëtar. Edhe pse Europa Nostra e ka shpallur objekt trashëgimie të mbrojtur, qeveria nuk duket se do ndalet në planet e saj.
Këto plane dhe e gjithë fytyra e saj anti-europiane dolën në pah këtë 9 maj, në Ditën e Europës si për të treguar se 15 kushtet e BE janë pak për këtë qeverisje.
Dhuna, varfëria, shkatërrimi i vlerave dhe kanabisi janë ‘dhurata’ e qeverisë për shqiptarët e kërrusur edhe më shumë nga barra e skandaleve dhe e keqqeverisjes së Ramës. Sot në shesh ishin pak, por flaka e zemërimit që u ndez online ishte e pabesueshme.
SYRI.net