Veseli: PDK do ta fuqizojë fitoren në Drenas

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli përmes një deklarate për media ka theksuar se në zgjedhjet e djeshme në Drenas,  PDK dhe kandidati Ramiz Lladrovci shënuan sipas tij fitore.

“Unë e kam kuptuar drejt mesazhin e qytetarëve te Drenasit. Ky mesazh kërkon reflektimin tim të qartë dhe në pajtim me këtë, unë dhe PDK-ja do të angazhohemi bashkërisht, ashtu që fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe e Lladrovci të jetë fitore e vizionit të përbashkët me qytetarët e Drenasit”, thuhet në deklaratën e Veselit.

Deklarata e plotë:

Dje, Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidati ynë Ramiz Lladrovci, shënuan fitore në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit. I falënderoj dhe i uroj të gjithë votuesit e z. Lladrovci, të cilët rikonfirmuan sërish mbështetjen e fuqishme për vizionin dhe platformën tonë për Drenasin, në funksion të arritjes së synimeve të përbashkëta.

I përgëzoj të gjithë qytetarët e Komunës së Drenasit për mbarëvajtjen shembullore të procesit zgjedhor, përmes të cilit dëshmuan edhe një herë kulturën e lartë demokratike të kësaj zone. Kjo kulturë dhe ky nivel i lartë i përgjegjësisë qytetare e përcolli edhe gjithë periudhën e fushatës zgjedhore, andaj me të drejtë mund të thuhet se fituesi më i madh i zgjedhjeve të djeshme në Drenas, ishte vetë qytetari i kësaj komune. Këtë duhet ta respektojnë oponentët tanë politikë, edhe kur nuk u pëlqen rezultati.

Unë e kam kuptuar drejt mesazhin e qytetarëve te Drenasit. Ky mesazh kërkon reflektimin tim të qartë dhe në pajtim me këtë, unë dhe PDK-ja do të angazhohemi bashkërisht, ashtu që fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe e z. Lladrovci të jetë fitore e vizionit të përbashkët me qytetarët e Drenasit. Verdikti i tyre do të jetë baza mbi të cilën do të ndërtohet edhe platforma qeverisëse e z. Lladrovci. Dhe jo vetëm në Drenas, por anekënd Republikës së Kosovës, vizioni i Partisë Demokratike të Kosovës do të ndërtohet bashkërisht me qytetarët dhe me votuesit tanë, duke i pasur në themelet e programit nevojat, kërkesat dhe aspiratat e tyre.

Për Partinë Demokratike të Kosovës nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa lidhja e pashkëputshme mes qytetarëve tanë dhe lidershipit partiak, andaj në ditët në vijim do të komunikojmë në mënyrë dinamike me qytetarët e Drenasit, për të fuqizuar edhe më shumë fitoren e ardhshme të z. Lladrovci dhe të Partisë Demokratike të Kosovës në raundin e dytë zgjedhor.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme